LAJMI I FUNDIT:

Fillon java e xhazit turk në Kosovë (Video)

Fillon java e xhazit turk në Kosovë (Video)

Edicioni i pestë i Turkish Jazz Week (TJW) sivjet për herë të parë organizohet nga Yunus Emre, kurse implementues është Ertan Iliyaz Enstitusu, Qendra Kulturore Turke në Prishtinë.

Ky festival muzikor do të realizohet me koncerte të grupeve të xhazit nga Turqia dhe SHBA-të që do të mbahen mes datave 12-16 prill. Hapja do të bëhet me koncertin e Mercan Dede, që do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë më 12 prill, me fillim prej orës 20:00.


Mercan Dede është një DJ i njohur që kombinon muzikën tradicionale me atë elektronike. Më 13 prill po në vendin dhe kohën e njëjtë, pianisti i mirënjohur, Aydin Esen, do të takohet me publikun kosovar.

Në mbrëmjen e së enjtes më 14 prill, flautisti Eren Xhoshkuner (Coşkuner) do të performojë para publikut gjakovar, në Shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova”.

Një kombinim interesant i kemeçesë (instrument i ngjashëm me lahutën) me orkestrën e xhazit para publikut prishtinas do të shfaqet në Hotel Swiss Diamond.

Bendi nga New Yorku, “New York Gypsy All Stars”, do të jetë grupi që do ta përmbyllë edicionin e pestë të TJW. Ky bend i përbërë prej muzikantëve nga Turqia, Greqia, Maqedonia dhe SHBA, performon muzikë ballkanike me një stil jashtë tradicionales.

Edicioni i pestë i TJW mbështetët nga Ambasada Turke në Prishtinë, TEB Banka, Turkish Airlines, Oda Tregtare Kosovaro-Turke dhe Swiss Diamond Hotel. Telegrafi është sponsor medial i këtij evenimenti.