FFK: RTK-ja nuk deshi ta transmetonte ndeshjen e Kosovës

“Pas publikimit të lajmit në lajmet qendrore të RTK-së kinse për ta ka qenë e papërballueshme dhe e pakuptimtë kostoja e transmetimit televiziv, FFK-ja e ndien të nevojshme për hir të së vërtetës të sqarojë opinionin se RTK-ja në asnjë rast nuk ka shfaqur interesim që ta transmetojë ndeshjen Kosova - Omani, e aq më pak ka qenë në pyetje ndonjë kosto, sepse askush nuk ka negociuar për një gjë të tillë.
Por, siç duket RTK-ja pas presionit të taksapaguesve dhe adhuruesve të futbollit nga të gjitha anët është detyruar të shërbehet me gënjeshtra, për ta hedhur fajin te FFK-ja kinse ajo ka vënë një kosto të papërballueshme”, thuhet në njoftimin e FFK-së, raporton Koha.net.
“Për ne është e pakuptimtë që një medium që paguhet dhe financohet nga taksapaguesit e Kosovës të transmetojë ndeshje tjera të futbollit apo të basketbollit dhe të mos gjejë hapësirë për ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës. Ne mbesim me shpresë se RTK-ja do ta kuptojë më në fund rëndësinë që ka Përfaqësuesja e Kosovës dhe ndeshjet e saj, dhe do të ndryshojë qasjen”, përfundon reagimi i FFK-së. /Telegrafi/



















































