FFK i kundërpërgjigjet Ejupit: Do të riaplikojmë

I pari i “bardhekaltërve”, mendon se duke riaplikuar për pranim në UEFA e FIFA, Kosova rrezikon të kthehet në pikën zero.
Ndërkohë, krerët e FFK-së, i kanë bërë të qartë se Ejupit do të riaplikojnë në FIFA e UEFA.
Ja komunikata e FFK-së:
Duke parë reagime dhe analiza të ndryshme rreth procesit të aplikimit të FFK-së në FIFA dhe UEFA, së fundi nga kryetari i FC Prishtinës Z. Remzi Ejupi, e konsiderojmë të arsyeshme të japim disa shpjegime:
FIFA dhe UEFA kanë raporte kontraktuale në rast kontesti dhe procedura e aplikimit në vitin 2008 ka qenë e përcaktuar në atë mënyrë që FFK-ja ka qenë e obliguar të dërgojë 5 kopje origjinale në FIFA dhe një nga ato iu është dorëzuar UEFA-s nga zyrtarët e tyre;
Përgjigjja e FIFA-s nuk ka qenë refuzuese mirëpo kanë kërkuar që Kosova të njihet nga një numër më i madh shtetesh dhe kjo ka mbetur pezull duke ditur që kërkohej që FFK të jetë paraprakisht e njohur nga UEFA dhe UEFA që Kosova të jetë e njohur nga OKB, pra një rreth i pakalueshëm ligjor dhe politik për kohën;
Kosova tani do të aplikojë paralelisht në të dy institucionet duke pasur parasysh se tani FIFA kërkon konfirmim nga aplikani që është anëtare e Konfederatës gjegjëse;
Është esenciale që sidomos UEFA, të japë përgjigje zyrtare në mënyrë që të atakohet ky vendim dhe të bëhet ankesë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (CAS);
Ankesa bëhet vetëm ndaj një vendimi, me argumente të forta, e jo “me kokë në mur”.
Po të ankoheshim më herët në CAS përgjigjja do të ishte shumë e thjeshtë: Anëtarësohuni në OKB. Gjithsesi janë konsultuar ekspertë nga jashtë por edhe të gjitha Institucionet relevante shtetërore.
Se sa i fuqishëm është faktori Shqiptar u pa në rastin e Kombëtares Shqiptare e cila tani “pothuajse shpallet fajtore”?
Është për tu çuditur se si personat jo kompetentë flasin me aq arrogancë, kinse ata i dinë të gjitha brenda një nate edhe pse pa kurrfarë njohurish dhe kompetence profesionale. /KP/Telegrafi/



















































