Fetoshi: Boshti Serbi–Rusi është i koordinuar kundër Kosovës, Kina nuk i referohet Kosovës si realitet

Drejtori i Përgjithshëm i Institutit “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, ka deklaruar se ndërhyrjet më agresive ndaj Kosovës, sidomos në kontekstin e proceseve zgjedhore, vijnë nga Beogradi zyrtar dhe mbështeten në mënyrë strategjike nga Rusia.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Fetoshi tha se Instituti OCTOPUS së fundmi ka realizuar një hulumtim për mediat kineze në gjuhën shqipe, duke vlerësuar se ato kanë një qasje më të butë krahasuar me propagandën serbo-ruse, por megjithatë nuk e trajtojnë Kosovën si realitet politik.
“Ne, në kuadër të institutit, kemi realizuar kohëve të fundit një hulumtim për mediat kineze në gjuhën shqipe, por kanë një qasje pak më të butë, kanë qasje krejt tjetër, për shkak se edhe interesat i kanë tjera”, tha Fetoshi shkruan Telegrafi.
Sipas tij, ajo që bie në sy në përmbajtjet e këtyre mediave është mënyra se si i shmangen Kosovës si subjekt politik.
“Ajo çfarë është interesante te përmbajtjet që prodhojnë këto media është fakti që nuk i referohen Kosovës si realitet, për shkak të lidhjeve të ngushta që kanë me Serbinë në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.
Fetoshi tha se, në anën tjetër, Kina ka interesa me Shqipërinë dhe mban prani mediale në hapësirën shqiptare.
“Ka një radio në gjuhën shqipe që Kina e mban në hapësirën shqiptare”, u shpreh ai.
Megjithatë, Fetoshi theksoi se, për nga shkalla e ndërhyrjes ndaj Kosovës, nuk sheh aktorë të tjerë në përmasat e boshtit që lidhet me Serbinë dhe Rusinë.
“Mirëpo jo, nuk shohim ndërhyrje të tjera përveç këtij boshti që e përmendëm”, tha ai.
Duke folur për ndikimet e jashtme, Fetoshi tha se ndërhyrjet agresive të Serbisë kundër Kosovës, veçanërisht në proceset zgjedhore, kanë adresë të qartë politike.
“Ndërhyrjet agresive të Serbisë kundrejt Kosovës dhe në veçanti në proceset zgjedhore e kanë adresë Beogradin zyrtar dhe mbështeten në mënyrë strategjike nga mediat ruse dhe institucionet e Rusisë”, deklaroi Fetoshi shkruan Telegrafi.
Ai përmendi si shembull reagimet ndaj marrëveshjes ushtarake Kosovë–Shqipëri–Kroaci, duke thënë se në atë rast narrativat e Beogradit dhe Moskës kanë qenë të sinkronizuara.
- YouTube www.youtube.com
“Në momente të caktuara, siç ka qenë narrativa për ta prezantuar Kosovën si kërcënim shumë të madh për Serbinë, referuar marrëveshjes ushtarake Kosovë–Shqipëri–Kroaci, kemi pasur reagime edhe nga zëdhënës të Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes nga Rusia, që kanë qenë plotësisht në sinkron me reagimet e Beogradit zyrtar kundrejt këtyre zhvillimeve”, tha Fetoshi.
Sipas tij, kjo tregon se ekziston një bosht i koordinuar narrativ kundër Kosovës.
“Me këtë dua të them që ky është boshti i koordinuar narrativ kundër Kosovës dhe që përfshin pastaj edhe institucione të tjera, të cilat orkestrojnë ndërhyrje të natyrave edhe të sigurisë, edhe politike, edhe informative”, deklaroi Fetoshi në “Përballje Podcast”./Telegrafi/.














































