Festivali “Rising Stars” rritet çdo vit: më shumë shtete, më shumë profesionistë dhe masterclasses në Gjilan

Festivali ndërkombëtar i muzikës “Rising Stars” po rikthehet këtë verë me edicionin e tij të nëntë, duke e shndërruar sërish Gjilanin në një pikëtakim të talenteve nga vende të ndryshme të botës.
Drejtoresha dhe organizatorja, Arta Haziri Nuhiu, në një intervistë për Telegrafin ka treguar se edicioni i këtij viti do të mbahet nga 25 deri më 29 qershor dhe se interesimi ka ardhur në rritje të ndjeshme, ndërsa aplikimet do të jenë të hapura deri më 20 maj.
Haziri Nuhiu thekson se “Rising Stars” nuk është festival i dedikuar vetëm për fëmijë, pasi përfshin kategori të ndryshme grupmoshash, nga më të vegjlit deri te artistët e rritur. Si risi për këtë vit, ajo përmend edhe kategorinë 25+, e cila vjen me pjesëmarrës ndërkombëtarë, si Giosue Calabria nga Napoli dhe Atun Srimiy nga Indonezia.

“Rising Stars është Festival Ndërkombëtar i Muzikës që përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Republikën e Kosovës… Festivali shërben si një platformë unike ku artistë nga vende të ndryshme të botës prezantojnë talentin e tyre përmes interpretimit live, duke garantuar standarde të larta artistike dhe profesionalizëm”, ka thënë ajo.
Sipas saj, edicioni i kaluar kishte pjesëmarrës nga 18 shtete, ndërsa këtë vit pjesëmarrja është konfirmuar nga shumë vende, përfshirë Italinë, Turqinë, Poloninë, Rusinë, Maltën, Gjeorgjinë, Kazakistanin, Uzbekistanin, Rumaninë, Moldavinë, Lituaninë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kosovën.

Përtej netëve garuese, organizatorët kanë përgatitur edhe një program të pasur aktivitetesh, ku do të përfshihen masterclasses me profesionistë ndërkombëtarë. Mes emrave të përmendur nga Haziri Nuhiu janë Rocco Palazzo nga Italia, Gillian Attard nga Malta, Anjeza Shehu Agolli nga Shqipëria dhe Luan Durmishi nga Kosova.
Një tjetër element kyç, sipas saj, është juria ndërkombëtare, e përbërë nga pedagogë, profesionistë të muzikës dhe drejtorë festivalesh nga disa vende. Ajo rendit një listë të gjerë emrash, përfshirë: Irina Akkök (Rusi), Zhanna Omarova (Kazakistan), Rocco Palazzo (Itali), Diana Bratosin dhe Claudiu Bulete (Rumani), Tolga Gurdil (Turqi), Michal Bojczuk (Poloni), Gillian Attard (Malta), Merita Isufi (Mbretëria e Bashkuar), Marjan Kataroski (Maqedonia e Veriut), Daina Bileviciute (Lituani), Hristiyana Dankova (Bullgari), si dhe përfaqësues nga Shqipëria e Kosova.

E pyetur për vështirësitë e organizimit, Haziri Nuhiu pranon se një festival i këtyre përmasave kërkon angazhim të madh dhe për vite me radhë është përballur edhe me sfida financiare. “Ka pasur raste kur festivali është realizuar falë mjeteve vetanake dhe përkushtimit të ekipit”, shprehet ajo, duke shtuar se tashmë janë në vitin e dytë me përkrahjen e Ministrisë për Kulturë dhe Turizëm dhe institucioneve lokale, gjë që sipas saj ka ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë.
Sa i përket talenteve të reja, ajo thotë se mbetet e impresionuar nga niveli që sjellin çdo vit pjesëmarrësit, jo vetëm në aspektin vokal e instrumental, por edhe në disiplinë e seriozitet. Si shembuj konkretë, Haziri Nuhiu përmend fitues të edicioneve të kaluara, si TAOMA nga Italia (fituesi i edicionit të fundit) dhe Elena Popova nga Bullgaria, të cilët pas “Rising Stars” kanë vazhduar rrugëtimin me suksese në skenën ndërkombëtare.

Në fund, ajo thekson se zgjerimi i festivalit është pjesë e vizionit afatgjatë, duke synuar ta konsolidojnë “Rising Stars” si një pikë referimi në hartën ndërkombëtare të festivaleve muzikore. Megjithëse ka sfida që lidhen me procedurat e vizave apo rrethana të tjera, Haziri Nuhiu thotë se mbeten të vendosur t’i tejkalojnë, sepse “arti nuk njeh kufij” dhe është “gjuhë universale që i bashkon njerëzit”. /Telegrafi/





























































