LAJMI I FUNDIT:

Sigurimi i kulturave bujqësore, prioritet duhet të jetë krijimi i sigurisë ushqimore

Sigurimi i kulturave bujqësore, prioritet duhet të jetë krijimi i sigurisë ushqimore

Të gjithë ata fermerë që kultivojnë molla, rrush, kumbulla, speca, dredhëza dhe mjedra, kanë arsye t’i gëzohen vendimit të fundit të marr nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, pasi që ka njoftuar se do t’i kompensoj fermerët në rast të fatkeqësive natyrore për këto kultura.

Sipas ministrisë, fermerët do të financohen me 50 për qind të çdo sigurimi bujqësor, dhe me këtë do t’i lehtësohet fermerit qasje për marrje të kredisë në banka.


“Për të përcaktuar se për cilat kultura do të zhvillohen fillimisht produktet e sigurimit, është bërë analiza e strukturës se fermave, analiza e kostos së prodhimit për këto kultura dhe analiza e rreziqeve. Janë zhvilluar gjashtë produkte të sigurimit indeks për këto kultura bujqësore: molla, rrushi, kumbulla, speci, dredhëza dhe mjedra. Momentalisht janë zhvilluar vetëm produkte indeks të sigurimit duke qenë se për fillim janë më të lehta edhe në aspektin e implementimit. Produktet e sigurimit indeks janë produkte që ofrojnë mbulim vetëm nga dëmtimet që ndodhin nga temperaturat e ulëta (ngricat), temperaturat e larta (thatësira) dhe reshjet”, thuhet në përgjigjen e MBZPHR-së për Telegrafin.

Ndër të tjera, fermerët pas blerjes së polisës së sigurimit do të subvencionohen me gjysmën e çmimit të sigurimit bujqësor nga Ministria e Bujqësisë.

“Çmimet e polisave janë të ndryshme varësisht nga kultura që do të subvencionohet dhe lokacioni në cilin ndodhet sipërfaqja e siguruar. MBPZHR-ja do të bëjë subvencionimin e 50 për qind të çmimit të polisës, e kjo shumë do i kompensohet fermerit pas blerjes së polisës dhe gjithsesi vetëm në ato raste ku ajo i plotëson kriteret e parapara e që janë specifike për secilin produkt që do të sigurohet. Kostoja se sa do i kushtojë Ministrisë implementimi i sigurimit varet nga interesimi i fermerëve që në bazë të praktikave edhe nga vendet e tjera në fillim nuk pritet të jetë edhe shumë i lartë. Zbatimi i sigurimeve bujqësore do u mundësojë fermerëve të sigurojnë kulturat bujqësore nga rreziqet që janë të lidhura me temperaturat dhe reshjet e kjo do të bëjë që biznesi i tyre të vazhdojë edhe në rastet kur atyre u shkaktohet humbje në rendiment si pasojë e dëmtimeve nga temperatura apo reshjet e shiut”, vijon përgjigjja e Ministrisë së Bujqësisë.

Gjashtë kultura bujqësore mund të sigurohen, fermerët do të kompensohen me 50% nga sigurimet në rast të fatkeqësive natyrore (Video)
Lexo po ashtu Gjashtë kultura bujqësore mund të sigurohen, fermerët do të kompensohen me 50% nga sigurimet në rast të fatkeqësive natyrore (Video)

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se për çdo produkt ka kërkesa specifike për të cilët do të mbulohen nga sigurimet.

“Për çdo produkt ka kërkesa specifike, është madhësia, kërkesa dhe atë se çfarë kërkon fermeri, pastaj janë kërkesat e siguruesit dhe pas një pajtimi të dyanshëm nënshkruhet marrëveshja e sigurimit, caktohet një prim dhe në bazë të asaj nëse ndodh një humbje atëherë kompania e sigurimit i mbulon ato”, ka shtuar Mazreku.

Ndërsa, profesori në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinë në Universitetin e Prishtinës, Imer Rusinovci, ka thënë për Telegrafin se kompensimet nga këto sigurime janë dukshëm më të vogla në raport me kulturat strategjike.

“Mendoj që prioritetet duhet të radhiten ndryshe. Është ide e mirë, por tash kërkon mbikëqyrje në terren dhe monitorim dhe nuk përjashtohen mundësitë e keqpërdorimeve, mundësitë e rajonizimeve dhe të tjera. Kompensimet janë dukshëm më të vogla për sipërfaqe të vogla në raport me kulturat strategjike, por deri sa në nivel vendi nuk krijohet një sistem i prodhimit të qëndrueshëm dhe stabil që para se gjithash koincidon me sigurinë ushqimore me prodhimet strategjike, asnjëherë vendi nuk do të ketë stabilitet të prodhimit të ushqimit”, tha Rusinovci.

Ai ka shtuar se deri sa Kosova nuk siguron prodhime strategjike, vendi do të karakterizohet me importe marramendëse.

“Për deri sa Kosova nuk siguron prodhime strategjike, flas për grurë misër dhe kultura masive, të gjitha këto sigurime që bëhen për kultura shumë anësore, apo dytësore, kurorëzohen efekte pozitive financiare, por gjithmonë jemi të varur prej importit dhe për deri sa ky vend karakterizohet me pamjaftueshmëri të prodhimit vendor, gjithmonë do të kemi importe marramendëse”, tha ai.

Ministria e Bujqësisë mbulon 50% të sigurimeve për fermerët në rast të fatkeqësive natyrore
Lexo po ashtu Ministria e Bujqësisë mbulon 50% të sigurimeve për fermerët në rast të fatkeqësive natyrore

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me Korporatën Ndërkombëtare Financiare anëtare e grupit të Bankës Botërore, kanë lansuar produktet e sigurimit bujqësor për mbrojtjen e fermerëve nga rreziqet e shkaktuara nga kushtet atmosferike. /Telegrafi/