LAJMI I FUNDIT:

Kur pritet faturimi për shpenzimin e energjisë elektrike në komunat në veri? Flet kryetari i Bordit të ZRRE-së

Pas nënshkrimit të marrëveshjes Komerciale në mes të Elektrosever dhe KEDS për ofrimin e shërbimeve të distribuimit të energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe tashmë ka filluar leximi i njehsorëve në këto komuna dhe pritet që së shpejti të fillojë dërgimi i faturave për secilin konsumator.

Kështu tha në një intervistë për Telegrafin kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu.


Ai tha se një numër i madh i konsumatorëve tanimë kanë njehsorët për matjen e energjisë së konsumuar, ndërsa një pjesë ende mund të përballen me probleme.

Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu /Foto: Ridvan Slivova

“Prej 1 janarit të vitit 2024 Elektroseveri ka fillu me ble energjinë elektrike për konsumatorët e veriut. Sipas informatave që i kemi deri më tani leximi i njehsorëve ka filluar dhe shpresojmë që shumë shpejt do të dërgohen edhe faturat e secilit konsumatorë në këto katër komuna në veri të Kosovës”, ka thënë Fejzullahu.

Ndërsa, sa i përket pajisjeve me njehsorë të qytetarëve të veriut të Kosovës, ai tha: “Sipas të dhënave që i kemi deri tani, rreth 20 mijë konsumatorë kanë njehsorë, tash gjendja e tyre tek një pjesë e madhe është shumë e mirë, është e qëndrueshme, e një pjesë e tyre ende mund të ketë probleme, por konsiderojmë që rreth 20 mijë janë me njehsorë”.

ZRrE ende s’ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen e arritur mes KEDS-it dhe Elektrosever
Lexo po ashtu ZRrE ende s’ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen e arritur mes KEDS-it dhe Elektrosever

Fejzullahu theksoi gjithashtu një problematikë që lidhet me konsumatorët që janë të lidhur ilegalisht me rrjetin e energjisë elektrike, duke vënë në pah se këta individë priten të regjistrohen në mënyrë që të shmangen pagesat e larta për kyçje dhe rreziqet e veprave penale për shfrytëzimin ilegal të energjisë.

“Qysh ndodh në secilën pjesë të Kosovës, por në veri është shumë e theksume, po edhe ato konsumatorë duhet me ardhë me u regjistru në rast se duan mos me pagu taksën e kyçjes. Në rast se ata nuk vijnë edhe të regjistrohen vullnetarisht, ata konsiderohen si konsumator të rinj edhe duhet të paguajnë një tarifë për kyçje që është rreth 100 euro, por në rast se ata nuk lajmërohen vullnetarisht, ata bëjnë një vepër penale dhe mund të ndëshkohen nga institucionet e Kosovës, meqenëse shfrytëzimi i paautorizuar është edhe vepër penale”, theksoi ai.

Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu /Foto: Ridvan Slivova

I pyetur se çdo të bëhet me energjinë e konsumuar që nga paslufta e deri në vitin 2023 në komunat veriore të Kosovës, ai sqaroi: “Ne kemi deklaru që prej qershorit të vitit 1999 ajo pjesë e veriut sipas informatave që ne kemi nuk kanë paguar energji elektrike institucioneve legale që janë të licencuara nga ana e ZRRE-së. Sipas këtyre informatave, shpresojmë që ky është muaji i parë që ata konsumatorë do të fillojnë të paguajnë për operatorët që të licencohen nga ana e ZRRE-së dhe janë të regjistruar legalisht në institucionet e Republikës së Kosovës”.

Në lidhje me performancën e pagesave të faturave të energjisë elektrike në të gjithë Kosovën, u përmend se Kamenica është një nga komunat me performancë të lartë të pagesës, ndërsa në komunitetin serb, Shtërpca dallohet si një nga komunat me pagesë stabile.

“Po, ato variojnë. Por, duhet me e theksu që një prej komunave që ka pagesën e mirë është Kamenica. Po gjithashtu edhe të komunitetit serb është Shtërpca një prej komunave që me pagesë qëndron shumë mirë në raport me këto dy komunitete”, tha ai.

Ndryshe, në dhjetor të vitit të kaluar është nënshkruar marrëveshja Komerciale në mes të Elektrosever dhe KEDS për ofrimin e shërbimeve të distribuimit të energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe, përfshirë faturimin, mirëmbajtjen dhe lidhjen fizike të konsumatorëve, drejt zbatimit të përcaktuar me Nenin 5 të Marrëveshjes për Energjinë të vitit 2013. /Telegrafi/