FC Prishtina: Faleminderit të gjithëve!

Prishtina të shtunën që lamë pas në kryeqytet kundër Sivassporit (0-2), luajti ndeshjen e parë ndërkombëtare nën monitorimin e UEFA-së dhe FIFA-së.
Kryeqytetasit përmes një njoftimi ka falënderuar të gjithë ata që e ndihmuan zhvillimin e kësaj miqësore, që i kishte munguar prej vitesh vendit tonë.
“Lidhur me zhvillimin e ndeshjes ndërkombëtare të zhvilluar në Prishtinë në mes FC Prishtina dhe FC Sivasspor nga Turqia më 06.09.2014 shprehim falënderim publik për mbështetjen dhe angazhimin e të gjithë atyre që ndihmuan që kjo ngjarje e veçantë sportive të jetësohet në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë. Falënderimi i shkon klubit Sivasspor nga Turqia me trajnerin legjendar Roberto Carlos, kryetarin e Komunës së Sivasit me bashkëpunëtor, mediume turke, përfaqësuesve te biznesit turk, sponsorit për aranzhimin e kësaj ndeshje, Ambasadorit tonë të akredituar në Ankara, z. Avni Spahiu, Ambasadës së Turqisë në Prishtinë, tifozët e shkëlqyer të Prishtinës ‘Plisat’ si dhe qytetarët që me prezencën e tyre e mbështeten pa rezervë këtë organizim sportiv”, është thënë në njoftimin e FC Prishtina.
“Bardhekaltrit” përmes këtij njoftimi kanë falënderuar mediumet e shkruara dhe atyre elektronike që e përcollën në vazhdimësi këtë ngjarje para dhe gjatë ndeshjes. Po ashtu FC Prishtina, falënderon Policinë e Kosovës, e që sipas tyre, me profesionalizëm ka kryer punën e saj si dhe Komunën e Prishtinës e cila ka qenë e përkushtuar për investime në infrastrukturën sportive në Stadiumin e Qytetit, sponsorët që nuk kursyen mjete në mbështetje të kësaj ngjarje sportive.
“Të gjithë JU na bëni të ndjehemi të motivuar në angazhimet tona për të ardhmen lidhur me prezantimin sa më të suksesshëm dhe dinjitoz të FC Prishtinës në arenën ndërkombëtare dhe sensibilizimim e sportit dhe futbollit prishtinas në veçanti”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e klubit prishtinas. /KP/Telegrafi/



















































