(E Plotësuar) - Pak minuta më parë është raportuar se FBK-ja është pranuar me të drejta të plota në FIBA, por Federata kosovare ka konfirmuar se ka dorëzuar aplikacionin ndërsa vendimi pritet të merret më 12 ose 13 mars.

“Federata e Basketbollit e Kosovës ka aplikuar për anëtarësim në FIBA. Aplikacioni u dorëzua nga Kryetari i FBK-së Erolld Belegu në takim me Sekretarin e Përgjithshëm. FBK-ja ka dorëzuar aplikacionin te nënkryetari i FIBA-s Patrick Baumann, dhe te kryetari i FIBA Evropës, Turgay Demirel si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të FIBA Evropës Kamil Novak”, thuhet në njoftimin e Federatës.


“Në takim delegacioni i FBK-së, i prirë nga Kryetari Belegu, pjesë e të cilit ishin edhe anëtarët e Bordit Arben Fetahu e Valton Bilalli dhe Sekretari i Përgjithshëm Leart Hoxha pasi dorëzoi aplikacionin për anëtarësim, u informua se përgjigjja për Kosovën do të dihet më 12 ose 13 mars që janë datat kur mblidhet Komiteti Ekzekutiv i FIBA-s”.

“Zyrtarët e FIBA Evropës po ashtu konfirmuan se Kosova pritet të garojë në kampionatet evropiane për kategori të reja pas konfirmimit zyrtar nga KE i FIBA-s. Rreth grupmoshave që do të garojnë në kampionate evropiane, detajet do të dihen në muajin mars. Zyrtarët e lartë të FIBA-s dhe shefi i zyrës ligjore të FIBA-s Benjamin Cohen konstatuan se aplikacioni i Kosovës është një dokument shumë cilësor dhe përmban të gjitha elementet që kërkohen nga zyra e tij”, thuhej në njoftim.

Gjatë ditës, anëtari i Bordit të FBK-së Valton Bilalli dhe Sekretari i Përgjithshëm Leart Hoxha janë takuar edhe me zyrtarin nga zyra për zhvillim e FIBA-s Florian Pasquet me të cilin u bisedua për ndihmën dhe përkrahjen që FIBA do të japë për FBK-në për reprezentacionet e reja, Shoqatën e Trajnerëve dhe programet për zhvillim.

Kosova pranohet në FIBA?
Federata e Basketbollit të Kosovës, raportohet se është pranuar me të drejta të plota në FIBA.
Në rrjetin social “Twitter” disa përdorues kanë shkruar se FBK-ja është pranuar si anëtar i barabartë në FIBA.

“Federata e basketbollit është pranuar si anëtar i barabartë i FIBA-s. Ende nuk është konfirmuar, por do të konfirmohet së shpejti”, është raportuar në Twitter.

Portali Koha.net ka tentuar të kontaktojë zyrtarët e Federatës, por nuk janë përgjigjur pasi anëtarët e delegacionit të FBK-së gjenden në Cyrih për takime në selinë e FIBA-s.

Në ditën e parë të vizitës në Zvicër, anëtarët e delegacionit të Federatës së Basketbollit të Kosovës zhvilluan dy takime në selinë e FIBA-s.

Anëtari i Bordit të FBK-së Arben Fetahu u takua me shefin e zyrës ligjore të FIBA-s Benjamin Cohen kurse temë e takimit ishte përputhshmëria e akteve normative të FBK-së me ato të FIBA-s dhe përmbajtja e aplikacionit të FBK-së për anëtarësim në FIBA, që tashmë është përgatitur nga ekipi i FBK-së.

Në takim u konstatua se aktet normative të FBK-së janë në përputhje me ato të FIBA-s dhe aplikacioni për anëtarësim përmban të gjitha pjesët që kërkohen për shqyrtim nga zyra ligjore.

Në takimin e dytë, Sekretari i Përgjithshëm Leart Hoxha u prit nga Javier Deshayes Lopez, zyrtati përgjegjës për transfere ndërkombëtare të lojtarëve.

Sipas z. Deshayes Lopez, FBK-ja kohëve të fundit, ka qenë shumë e përpiktë në zbatimin e rregullave dhe procedurave të transferimit të lojtarëve.

Leart Hoxha në këtë takim përsëriti përkushtimin e FBK-së që të vazhdojë të respektojë procedurat dhe rregullat e FIBA-s, të cilësuara si parakusht i rëndësishëm për anëtarësimin e Kosovës në FIBA.

telegrafi sport app