LAJMI I FUNDIT:

Familja e “Komandant Shqiponjës” kërkon ndërrimin e prokurorit

Familja e “Komandant Shqiponjës” kërkon ndërrimin e prokurorit

Prokurori Publik nuk ishte i gatshëm që t’i thotë fjalët përfundimtare dhe për këtë shkak u anulua seanca e sotme gjyqësore për vrasjen e Xhemail Rexhepit, apo i njohur si “Komandant Shqiponja”. Seanca e radhës është caktuar për më 26 prill. Arsyetimi për shtyrjen, sipas familjarëve, nuk është aspak i logjikshëm dhe sipas vëllait të “Shqiponjës”, Qail Rexhepi, me këtë veprim vihet në dukje se ata janë duke u munduar që të akuzuarin ta dënojnë me dënim minimal edhe pse sipas veprës për të cilën akuzohet dënimi mund të jetë burg i përjetshëm, raporton Shenja.

“Këtu shihet qartë se ky prokuror nga lënda vepër penale në bazë të nenit 123, alineja 2, pika 3, ku është e qartë se nga kjo vepër penale dënimi maksimal është burg i përjetshëm. Mirëpo këta duan që këtë kualifikim ta parakualifikojnë. Në nenin 12, ku thuhet se vrasja ka ndodhur në rast çasti”, ka deklaruar Qail Rexhepi, vëllau i Komandant “Shqiponjës”.


Në bazë të këtij veprimi të prokurorit Isa Sulejmanit, tha Rexhepi në konsultim edhe me avokatin e tyre Marjan Vitanovskit do të kërkojnë që këtij prokurori t’i merret lënda dhe t’i kalohet një prokurori tjetër, pasi ata nuk besojnë se ai mund ta marrë një vendim të drejtë, duke pasur parasysh faktin, shtoi ai se ky prokuror është i njëjti i cili propozoi që të akuzuarit Bajram Limani dhe Amir Latifi, të lëshohen në burg shtëpiak, edhe përkundër veprës së rëndë penale për të cilën akuzohen.

Qail Rexhepi tha se aspak nuk beson në drejtësinë e gjykatës, por ato do të vazhdojnë deri në fund, duke i shterrur të gjitha mundësitë ligjore që i akuzuari Limani të merr dënimin maksimal.

“Komandant Shqiponja” u vra më 23 korrik të 2015-tës në një lokal në Kumanovë, pas një zënke e cila përfundoi me vdekjen e tij. I akuzuari kryesor për vrasjen, Bajram Limani, në kohën kur akuzohet se e ka kryer vrasjen ka shërbyer si drejtues i degës së BDI-së në Kumanovë, i deleguar nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.