LAJMI I FUNDIT:

Faik Konica: “Gjithmonë e shtyj për vitin tjetër. E vërteta është se nuk do të martohem kurrë”

Faik Konica: “Gjithmonë e shtyj për vitin tjetër. E vërteta është se nuk do të martohem kurrë”

Ilir Ikonomi

Megjithëse po bëheshin tri dekada që kur vuri këmbë për herë të parë në Amerikë, Faiku vazhdonte të ishte beqar. “I nderuari Faik Konica i Shqipërisë është në hall të madh”, shkruante gazeta kryesore e Uashingtonit në vitin 1934. “Kur dikush e pa të martën pasdite në mesin e disa zonjave tërheqëse gjatë një kokteji në Mayflower, në vetull i kishte rënë një hije e lehtë ndërsa vështrimin e kishte të trishtuar.


Kjo i bëri përshtypje një miku në tryezën pranë sepse zoti Konica prej natyre është njeri me shpirt të qeshur. U desh të vinte e premtja që të merrej vesh sekreti. Përgjigja, si zakonisht, ishte ajo që thonë francezët: cherchez la femme (kërkoni gruan). Dhe halli ishte se zoti Konica nuk gjente dot grua”.

“Gjithmonë e shtyj për vitin tjetër. E vërteta është se nuk do të martohem kurrë”, thoshte Faiku. Ministri ia njihte të metat vetes. Ai besonte se ishte i ftohtë dhe i tërhequr në marrëdhëniet me të tjerët ndonëse nuk e quante veten tip të ndrojtur. Por dyshonte se të tjerët e shihnin si asket.

Ky beqar, i cili nuk ua tregonte kurrë moshën të tjerëve, shquhej nga të veshurit me elegancë. Mbante kostume shik blu, gri dhe të zinj, secili i shoqëruar me pallto në të njëjtën ngjyrë por pa thile në jakë, një zakon i tij i hershëm që të mos i inkurajonte vajzat t’i ngulnin aty ndonjë lule. Palltot nuk kishin as xhep sipër, sepse Faiku e quante jo sanitare mbajtjen e shamive për qëllime dekorative.

Për të njëjtën arsye, edhe pantallonat nuk i kishte të përthyera në fund. Këmishët, të gjitha të qepura në Londër, ishin pa kopsa shtesë në mëngët, sepse sipas tij, ato nuk luanin ndonjë rol. Jakat e këmishës i rrinin përsosmërisht drejt dhe puthitur, kravatat i zgjidhte me kujdes, rrinte gjithnjë i rruar e i qethur dhe krejt pamja e jashtme e bënte një dapper, siç quhen në Amerikë njerëzit, tek të cilët rëndësia nis nga veshja. Portretin e pastër ia plotësonte një nishan i madh i zi nën çipin e majtë të buzës. Ishte përgjithësisht i qeshur dhe kishte sjellje të butë, aq sa gazetat e quanin “ministri xhentil i Shqipërisë”; tregonte gjithnjë oborrësi, të shikonte në sy kur fliste ose kur i flisje, nuk e ngrinte kurrë zërin dhe kishte kujdes të mos i mërziste bashkëbiseduesit me rrëfimet e tij.

Ama, duke qenë interesant si tip, shpesh bëhej qendra e vëmendjes në një rreth biseduesish, herë me anekdotat dhe herë me konstatimet e tij të mençura. Kur tymoste, hirin e shkundte me elegancë duke goditur me dorën e djathtë gishtat e dorës së majtë që mbanin cigaren.

Në vlerësimin e bukurisë fizike të grave, Faiku ishte një katolik i vërtetë. Pamja e jashtme e femrës, thoshte, gjithmonë duhet të vijë e dyta pas personalitetit të saj. Ndër mikeshat e shumta vlerësonte më tepër ato të cilat natyra i kishte pajisur me inteligjencë të jashtëzakonshme dhe u shmangej grave me temperament tepër të gjallë e që flisnin shumë. I pëlqente thjeshtësia e grave amerikane, e cila, sipas tij, kishte ndikuar që modat e veshjeve në botë të bëheshin më artistike. Por, me një kusht, që ato të përdornin sandalet e të hiqnin dorë nga takat e larta.

Kur në Mayflower bëhej ndonjë paradë mode, si ato që organizonte në pranverë Shoqata e Bulevardit Connecticut, ministri i Shqipërisë ishte njëri nga burrat e pranishëm. Rrinte ulur në radhët e pasme të audiencës dhe dukej po aq i interesuar në paraqitjen e stileve të çelëta pranverore sa edhe gratë e shoqërisë së kryeqytetit.

Megjithatë, jeta e këtij shqiptari ishte e lidhur me librat e me studimet dhe dukej se interesi i tij për gratë nuk shkonte aq larg sa ta cyste të mendonte për t’u martuar. Një korrespondenti të Washington Post-it i pat thënë: “Lulet e portokallit kanë vendin e tyre kurse mua më jepni bibliotekën dhe muzikën, një kallamar plot me bojë për të shkruar si dhe të drejtën e plotë për t’iu gëzuar këtyre kur dhe si të dëshiroj”.

Faiku, shkruante ky korrespondent, “nuk jep asnjë arsye se përse nuk martohet… por hamendja e thjeshtë të thotë se ai kupton diçka: që gratë nuk i durojnë dot dollapët plot e përplot me libra në vend të rrobave, nuk mund të shohin dot një gramafon me konin gjigant në dhomën e ndenjjes dhe as dorëshkrime të përhapura në dysheme”.

Në shkrimet e tij Faiku nuk ka lënë ndonjë gjurmë të marrëdhënieve romantike ose martesore që mund të ketë patur. Kjo ishte rreptësisht jeta e tij private ku askush nuk duhet të fuste hundët. Por, poeti dhe dramaturgu frëng, krijuesi i termit surealizëm, Guillaume Apollinaire (Gijom Apoliner), i cili kishte patur miqësi me Faikun, na jep këtë paragraf nga jeta intime e shokut të tij: “Në një rast tjetër, qëndrova edhe një herë në Londër me Faik Bej Konicën, i cili ishte martuar dhe jetonte në Chingford”. Fjala është për vitet e para të shekullit të 20-të.

Kur nisën polemikat me kampin e Nolit në vitin 1925 e më pas, gjithmonë gjendeshin kundërshtarë që e shanin Faikun si njeri të degjeneruar moralisht, domethënë të dhënë pas femrave. Thuhej madje se ai kishte një djalë jashtë martese, të cilin e kishte lënë në Evropë. Në fillim të vitit 1938 Faiku ishte parë të takohej me aktoren e famshme të striptizës, 29-vjeçaren Ann Corio (An Korio), dhe menjëherë u hap fjala se ai kishte ndërmend të lidhte kurorë me të. Corio ishte një nga 12 fëmijët e një çifti emigrantësh italianë dhe ishte bërë e njohur me shfaqjet e saj në varietenë e tipit burleskë që përfshinte parodi si dhe një dozë të mirë striptize.

Në Amerikën e kohës, stripti ishte pjesa më e rëndësishme e kësaj varieteje të përshtatur për një audiencë mashkullore. Në Uashington, teatri, në hyrje të të cilit ndriçonin dy fjalët e shkruara me neon Burlesque Burlesque ndodhej në Rrugën Nëntë. Këtu atmosfera ishte krejt e ndryshme nga rrugët e tjera aty pranë që mbizotëroheshin nga dyqanet Garfinkel dhe Hecht’s.

Faiku ishte ndër frekuentuesit e teatrit, siç kuptojmë nga ky paragraf i marrë nga një gazetë e kohës: “Ai është një kombinim i rrallë i mikpritësit të shkëlqyer, dijetarit, linguistit dhe playboy-t. Në netët e dimrit, kur detyra diplomatike e lejon, ai ulet në radhën e parë të teatrit burlesque të kryeqytetit. Njëra nga të preferuarat e tij është Ann Corio, kërcimtarja e striptizit”.

Corio ishte vajzë inteligjente. E kishte mbaruar shkollën e artit me një diplomë Magna Cum Laude dhe në rrethet shoqërore përshkruhej si mjaft e edukuar dhe brilante në bisedë. Ishte ndër artistet më të paguara të këtij zanati dhe fitonte deri në një mijë dollarë në javë. Corio ishte martuar me Emmet Callahan, pronar i disa teatrove.

Faiku nuk e mohonte se e kishte ftuar Ann Corion disa herë për çaj. Shtytja mund të ketë qenë kurioziteti për bukuroshen e striptizit dhe përgjithësisht tërheqja e Faikut drejt çdo lloj arti. Corio mund të ketë qenë po aq e tërhequr nga erudicioni i këtij njeriu që nuk ngjante me askënd tjetër në trupin diplomatik. Por, meqenëse zërat kishin marrë dhenë, ai u detyrua të bënte këtë përgënjeshtrim publik mbrëmjen e 11 janarit 1938:

“Ministrin e Shqipërisë e argëton së tepërmi cektësia e disa gazetarëve amerikanë, të cilët kanë arritur në përfundimin se ai ka rënë në dashuri dhe ka ndërmend të martohet me sharmanten Ann Corio, megjithëse ajo është mjaft e martuar. Përveç konsideratave të tjera, është fakt shumë i njohur se ligji i vendit ua ndalon diplomatëve shqiptarë të martohen me shtetase të huaja”.

Gazetat aq prisnin. Washington Post e botoi menjëherë deklaratën e Faikut bashkë me foton e tij dhe të Ann Corios përbri. Shumë të tjera reaguan me qesëndi. John O’Rehn i gazetës The Sun, shkruante: “Askush nuk i përdor më me dinjitet deklaratat formale se sa Faik Konica, ministri shqiptar në Shtetet e Bashkuara… Por nuk besoj se ministrin e argëtuan këto zëra, prandaj mendoj se deklarata e tij na zbuloi një Faik mjaft diplomatik”.

Corio shihej nga disa si gruaja më e bukur e botës, prandaj çdo burrë që shoqërohej me të nuk i shpëtonte dot syrit vigjilent të reporterëve. Pak kohë pas deklaratës së Faikut ajo u nda nga burri e pastaj u bashkuan. Gazetat e njoftuan lajmin pa harruar të shtonin “atë historinë me diplomatin shqiptar”.

Lajmin e botoi edhe Dielli i Gurrazezit dhe në përkthim ndihej një nëntekst i qartë qesëndie. Për një farë kohe, emri i Faikut do të shtohej si bisht në çdo histori që kishte lidhje me mbretëreshën amerikane të striptit, pa çka se e gjithë kjo mund të ishte një sajesë e shtypit të etur për sensacione. /Pjesë nga libri: ‘Faik Konica: Jeta në Uashington’, Botim i UET PRESS/