Sipas një deputeti polak, Evropa nuk ka mjaft TNT për t’u mbrojtur vetë apo për të furnizuar Ukrainën, për shkak se shumica e prodhimit të saj të TNT-it i shkon Shteteve të Bashkuara, nga ku më pas dërgohet në Izrael për t’u përdorur në Gaza.

Deputeti Maciej Konieczny, nga partia e majtë Razem, thotë që kompania polake Nitro-Chem - e cila prodhon TNT dhe është në pronësi të Grupit Polak të Armëve - nuk përballon dot kërkesën sepse ka nënshkruar një seri kontratash me SHBA-të.


Sipas tij, TNT-eksplozivi përdoret nga SHBA për prodhimin e llojeve të ndryshme municionesh, si bombat MK-84 dhe BLU-109, që thuhet se Izraeli i përdor në Gaza.

Në artikull thuhet se SHBA-të aktualisht nuk prodhojnë TNT në vendin e tyre dhe se mungesa serioze ka shtyrë qeverinë amerikane që të lejojë ndërtimin e një fabrike në shtetin e Kentucky-t.

Konieczny ka deklaruar “TNT-ja polake eksportohet tërësisht jashtë vendit, dhe bombat e prodhuara prej saj bien mbi kokat e civilëve të pafajshëm në Gaza… Rezervat aktuale të TNT-së do të mjaftonin vetëm për një muaj veprimtarish ushtarake në rast lufte. Nuk kemi as mjaft TNT për të siguruar predha për Ukrainën”.

Sipas tij, është e nevojshme një “shpjegim të plotë” nëse është më me prioritet Gaza mbi mbrojtjen e Evropës.

Kompania Nitro-Chem raportohet se prodhon 10–12 mijë ton TNT në vit, por rreth gjysma e këtij prodhimi është dedikuar SHBA-ve deri të paktën në vitin 2029.

Si alternativë prodhimi TNT-je është konsideruar edhe fabrika “Zorya” në Ukrainë me rreth 5000 ton në vit, por fabrika në Luhansk është aktualisht nën okupim rus. /Telegrafi/