Estupinan në Ligën Premier dhe më shumë: Milani synon të përfitojë mbi 150 milionë euro nga shitjet


Milani po përgatitet për një verë me shumë largime, pasi drejtuesit e klubit synojnë të arkëtojnë rreth 150 milionë euro nga shitja e lojtarëve për të përmirësuar gjendjen financiare dhe për të financuar afrimet e reja.
Pasi siguroi transferimet e Gonçalo Ramos dhe Mario Gilas për një shumë totale prej rreth 50 milionë eurosh, klubi kuqezi tani është përqendruar te largimet.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, Pervis Estupinan është një nga lojtarët më pranë largimit. Mbrojtësi i majtë po zhvillon bisedime të avancuara me Aston Villan, ndërsa mediat italiane raportojnë se Milani kërkon rreth 20 milionë euro për kartonin e tij. Megjithatë, klubi mund të pranojë edhe një ofertë prej 15 milionë eurosh.

E njëjta shumë pritet të kërkohet edhe për Fikayo Tomorin, i cili gjithashtu mund të largohet gjatë kësaj vere.
Ndërkohë, trajneri Ruben Amorim nuk llogarit në disa mesfushorë. Milani është i gatshëm të dëgjojë oferta për Youssouf Fofanan, Ruben Loftus-Cheek dhe Warren Bondon.
Një tjetër emër i madh në listën e transferimeve është Rafael Leao. Sulmuesi portugez është në treg për rreth 60 milionë euro, por deri më tani nuk ka mbërritur asnjë ofertë zyrtare, veçanërisht nga klubet e pesë ligave më të forta të Evropës.
Sipas raportit, objektivi i Milanit është të arkëtojë rreth 150 milionë euro nga shitjet gjatë këtij afati kalimtar, si pasojë e mungesës në Ligën e Kampionëve, por edhe për të krijuar një buxhet më të madh për përforcimin e skuadrës./Telegrafi/










































