Është shpallur dy herë mashkulli më seksi në botë, por Johnny Depp nuk njihet në rolin e fundit

Johnny Depp ka habitur fansat me paraqitjen e tij të fundit në San Diego Comic-Con, ku u shfaq pothuajse i panjohshëm.
Aktori 63-vjeçar nuk mori pjesë në ngjarje si vetvetja, por i transformuar plotësisht në personazhin e Ebenezer Scrooge, protagonisti koprrac dhe i sertë i filmit të ri "Ebenezer: A Christmas Carol".
Depp u shfaq i veshur me kostum të epokës viktoriane, duke mbajtur një pallto të gjatë blu, cilindër të zi, paruke gri dhe një bastun, çka bëri që shumë prej të pranishmëve të mos e njihnin në shikim të parë.
Aktori ishte zhytur plotësisht në rol gjatë promovimit të adaptimit të ri të klasikut të Charles Dickens, i cili pritet të dalë në kinema më 13 nëntor.
Për promovimin e filmit, në lagjen e njohur Gaslamp në San Diego ishte ndërtuar një skenografi që imitonte një dyqan të mbuluar me borë artificiale, ndërsa qindra fansa u mblodhën për të parë nga afër Depp, i cili doli nga dera i shoqëruar nga kori që interpretonte këngë të Krishtlindjeve.

Gjatë gjithë paraqitjes, ai qëndroi besnik karakterit të Ebenezer Scrooge, duke mos dalë asnjë moment nga roli.
Kur një fans e përshëndeti me fjalët: “Mirëdita, zoti Scrooge”, Depp iu përgjigj në karakter: “Çfarë ka të mirë këtu?”.
Në një moment tjetër, ai pyeti me ironi pse ishte mbledhur aq shumë njerëz para dyqanit, duke shkaktuar të qeshura dhe duartrokitje nga publiku. Para se të largohej, ai u ndal, hodhi një vështrim drejt të pranishmëve dhe bërtiti frazën ikonike të personazhit: “Humbug!”.
Depp vazhdoi të qëndronte në rol edhe gjatë panelit "Directors on Directing", të organizuar nga Collider në kuadër të Comic-Con, ku u shfaq me një qiri në dorë dhe ruajti mënyrën karakteristike të ecjes dhe sjelljes së Scrooge.

Filmi "Ebenezer: A Christmas Carol", me regji të Ti West, shënon rikthimin e Johnny Depp në një rol të madh hollivudian për një studio të madhe, pas betejës së bujshme ligjore me ish-bashkëshorten e tij, Amber Heard.
Në vitet e fundit, aktori është përqendruar kryesisht në projekte ndërkombëtare, si filmat "Minamata" dhe "Jeanne du Barry", ndërsa ka realizuar edhe filmin e pavarur "Modì, Three Days on the Wing of Madness" si regjisor.
Përveç Depp, në adaptimin e ri të veprës së Charles Dickens luajnë edhe Andrea Riseborough, Ian McKellen, Rupert Grint dhe Daisy Ridley. Filmi pritet të nisë shfaqjen në kinema më 13 nëntor. /Telegrafi/















































