LAJMI I FUNDIT:

Escobar: SHBA-ja ka mekanizma kundër ndikimit rus në Malin e Zi

Escobar: SHBA-ja ka mekanizma kundër ndikimit rus në Malin e Zi

Në forumin “To Be Secure” të zhvilluar në qytetin e Budvës, zëvëndësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar u pyet edhe edhe në lidhje me qëndrimin e SHBA-së për ndikimin e partive pro-serbe dhe pro-ruse në Mal të Zi.

Sipas Escobar, duhet bërë dallim midis çështjes pro-serbe dhe pro-ruse.


“Së pari, unë nuk e shoh si të njëjtën gjë çështjen pro-serbe dhe pro-ruse. Ato forca politike në Mal të Zi që janë pro-serbe duhet të pranojnë që Mali i Zi duhet të jetë demokratik, i pavarur, sovran dhe i kthyer drejt Perëndimit dhe të qëndrojë si pjesë e NATO-s. Anëtarësimi në NATO dhe procesi i integrimit e kanë bërë Malin e Zi shembull për rajonin në 20 vitet e fundit, dhe për ato parti që me të vërtetë po përpiqen të minojnë këto vlera, ne kemi shumë mënyra për t’iu përgjigjur. Disa prej tyre janë sanksionet, si dhe izolimi diplomatik dhe politik”, tha Escobar.

Mali i Zi si anëtar i NATO-s nuk mund të lejojë që ta drejtojë një shtet tjetër

Kryetari i Aleancës së Atlantikut për Malin e Zi, Savo Kentera në Samitin e Budvës tha se, “Mali i Zi si anëtar i NATO-s nuk guxon e as që duhet të lejojë që të udhëhiqet nga Serbia, Rusia, e as nesër nga Kina ose ndonjë shtet tjetër”.

Kentera ka shtuar se forcimi i institucioneve të sistemit është e vetmja mënyrë për ta përmirësuar situatën.

Gjukanoviq: Qeveria është jo funksionale duhet të shkarkohet

Presidenti Milo Gjukanoviq në forum tha se “Qeveria aktuale është jo funksionale dhe ajo duhet të shkarkohet, sepse mandati i saj është fundosja e Malit të Zi”.

Sipas tij, përçarjet janë një fakt historike dhe ato nuk do të zhduken vetvetiu. Mirëpo, ideja e Bashkimit Evropian dhe e Malit të Zi qytetar e gëzon shumicën.

Gjukanoviq mendon se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë kapacitete që të sigurojnë stabilitetin e rajonit, por ky stabilitet mund të forcohet përmes integrimeve. Rusia ka shtuar ai nuk është e interesuar për Malin e Zi, sa është e interesuar për shkatërrimin e sistemit të vlerave evropiane.

Krivokapiq: Qeveria ka ndjekur të gjitha rekomandimet e sigurisë nga BE-ja

Qeveria e Malit të Zi, pa përjashtim ka ndjekur të gjitha rekomandimet diplomatike dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, shpesh herë edhe në dëmin ekonomik të Malit të Zi, ka deklaruar kryeministri Zdravko Krivokapiq.

Ai theksoi në forumin 2BS se ndikimet nga jashtë nuk kanë ndodhur gjatë qeverisë aktuale, por “kanë ndodhur në formë intensive në periudhën që nga viti 2006”.

Krivokapiç theksoi, se Podgorica kurrë nuk ka qenë më pranë NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke shtuar se gjatë kohës së qeverisë aktuale qytetarët kanë treguar më shumë besim ndaj këtyre vlerave.

Ai përfundoi se dëshiron Malin e Zi të fortë, institucionet e të cilit do të veprojnë në favor të qytetarëve. /Deutsche Welle/