Çfarë thonë dosjet e SHISH-it për luftëtarët nga Shqipëria e Kosova në Siri?

Pas informacioneve të shumta se disa prej shqiptarëve të rënë në Siri kanë lënë gratë dhe fëmijët në kampet e luftës, mësohet se janë përpiluar të dhëna shtesë në lidhje me aktivitetin e këtyre grave në Siri. Shqetësimi më i madh mbeten fëmijët e mitur, fati i të cilëve vijon të mbetet mister.
Gjithashtu, në kuadër të hetimeve intensive për të zbuluar se si funksiononte celula e Tiranës, bëhet me dije se SHISH-i po punon mbi të dhënat e ndryshme për personat që mendohet se janë pjesë e stafit të ambasadave arabe, për të cilët ka dyshime se janë ideatorë si dhe përkrahës të xhihadizmit.
Mirëpo, derisa SHISH-i dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda vijojnë të mbushin dosjet në lidhje me aktivitetin e Genci Ballës dhe të gjithë ndjekësve të tij, tashmë janë familjarët e viktimave të cilët trokasin në Prokurori për të treguar gjithçka dinë mbi kontaktet e njerëzve të tyre me dy imamët e vetëshpallur.
Pas denoncimit të burrit nga Shkodra, i cili i tha Prokurorisë se ish-gruaja e tij kishte ikur me Genci Ballën tri vite më parë dhe nga të dhënat e tij besonte se ajo dhe i biri kishin përfunduar në kampet e luftës në Siri, ekspertët e hetimit nisën të verifikojnë të gjithë personat - të cilët janë më shumë se 70 - që kanë ikur në drejtim të Turqisë.
Alarmi për femrat arabe që shkonin në drejtim të Sirisë, fillimisht u dha edhe nga mediat britanike, por që i referoheshin vetëm vendeve të botës arabe. Shërbimet sekrete ndërkombëtare informuan edhe në lidhje me gratë që iknin nga vendet e rajonin të Ballkanit.
Madje, në konfliktin e Sirisë dyshohet se është zbuluar edhe një tjetër konflikt mes ushtarëve ballkanas që luftojnë, ndonëse ende nuk bëhet fjalë për shifra dhe fakte konkrete. Kështu, nga të dhënat e Krimeve të Rënda bëhet me dije se përveç Almira Kastratit, gruas nga Shkodra që u martua me Genci Ballën dhe mori të birin katërvjeçar dhe u largua në drejtim të Sirisë, aty janë edhe gruaja e Hamit Muslisë, pukjanit të vrarë vitin e kaluar, si dhe gruaja e Hasan Korvafajt - që të dy viktima. Njëkohësisht, bëhet me dije se bashkë me këto dy gra janë edhe fëmijët e tyre, ndërkohë që sipas të dhënave që ka mbledhur policia janë edhe gratë e dy prej personave të zhdukur që vijojnë të jenë në vendin e luftës.
Ekspertë të çështjeve ndërkombëtare që po merren me statistikat e kampeve rivale të luftës së Sirisë, flasin për një rekrutim masiv nëpër vendet e Ballkanit. Janë Bosnja dhe Kosova që kryesojnë me shifra të larta pjesëmarrjeje, ndërsa Shqipëria sipas tyre ka numër relativisht më të vogël. Të dhënat flasin se në drejtim të Sirisë ka edhe luftëtarë serbë, të cilët janë vendosur përkrah regjimit të Bashar Al Assadit.
Sipas të dhënave, saktësohet se rreshtimi i këtyre ushtarëve përkrah regjimit të qeverisë së Assadit, ka zemëruar kryesisht xhihadistët e Kosovës, të cilët kanë shkuar të luftojnë pikërisht kundër këtij regjimi, pasi në radhët e tyre janë renditur serbët. Janë të shumta predikimet e imamëve të Kosovës që e pranojnë këtë fakt, ndërsa mësohet se ushtarët serbë të cilët shërbejnë në radhët e qeverisë kanë një pagë ditore rreth dymijë euro, ndërkohë që shqiptarët dhe luftëtarët e tjerë ballkanas që janë renditur në grupet kundër Assadit, që pretendohet se janë edhe të mbështetur nga al-Qaeda, luftojnë vetëm në emër të Allahut.
SHISH ka mbajtur nën përgjim dy imamët e vetëshpallur dhe ka depozituar në prokurori pjesë nga këto përgjime. Faktet flasin për mënyrën se si imamët predikonin dhe lajmëronin besimtarët nëpër xhamitë e tyre për vrasjet e xhihadistëve shqiptarë. Në këto ambiente, sipas të dhënave, kishte edhe fëmijë të cilët njiheshin me situatën e vrasjeve në vendin e luftës. Kështu mësohet se është përgjuar edhe Bujar Hysa, imami i xhamisë së Mëzezit, që njoftonte ndjekësit edhe për të vrarët të cilët i quante “shehid”. Sipas përgjimit që gjendet në dosjen kundër imamëve, mësohet se me datën 10 tetor 2013, besimtarëve të tjerë imami iu bën të ditur se kishte rënë në luftë Hamit Muslia, i njohur me emrin Ebu Enesi.
Hysa mësohet të ketë thënë: “Nga muxhahidët shqiptarë që janë në Siri, ka rënë shehid vëllai mysliman me emrin fetar Ebu Enesi nga Lapraka dhe është vëllai musliman Hamit Muslija. Inshalla Ebu Enesi ka rënë shehid, e ne duhet të gëzohemi për këtë gjë, të gëzohemi për të që Allahu ia mundësoi xhehnetin (parajsa) si shehid. Ne duhet të mërzitemi për vetet tona që Allahu nuk na e ka mundësuar shehidllikun, e inshalla ia mundëson secilit prej nesh dhe çdo myslimani të devotshëm. Kjo është ajo që duhet të na mërzisë dhe jo vdekja e atij vëllait, se ai ka marrë gradën më të lartë tek allahu, shehid inshalla...”. /Shekulli/








































