Eliza Hoxha përfaqëson Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit

Pavijoni Kombëtar i Kosovës do të jetë pjesë e Edicionit të Dytë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit, me artisten Eliza Hoxha si përfaqësuese të Kosovës në këtë ngjarje të rëndësishme artistike.
Pjesëmarrjen në bienale e ka bërë të ditur vetë Hoxha përmes rrjeteve sociale, ku është shprehur e lumtur për mundësinë që të jetë pjesë e një aktiviteti që mbledh artistë nga vende të ndryshme të botës.
“Shumë e lumtur për këtë mundësi me qenë mes artistësh ndërkombëtar në Bienalen e Durrësit”, ka shkruar Hoxha.
Edicioni i dytë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit është kuruar nga Massimo Scaringella, ndërsa përurimi do të mbahet më 1 tetor 2026, duke filluar nga ora 18:00.
Pavijoni Kombëtar i Kosovës do të prezantohet në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës, ku ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 31 tetor.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë bienale përmes Eliza Hoxhës përbën një tjetër prezantim të skenës artistike kosovare në një ngjarje ndërkombëtare të artit bashkëkohor.
Eliza Hoxha, përveç angazhimit të saj në art dhe arkitekturë, është edhe deputete e Kuvendit të Kosovës. Ajo është e njohur edhe për aktivitetin e saj të hershëm në muzikë, duke vijuar ndër vite të jetë aktive në fusha të ndryshme krijuese dhe publike. /Telegrafi/
















































