LAJMI I FUNDIT:

Eksperti i financave, Bajra: Individualisht është koha të shesim, e jo të blejmë

Emanuel Bajra, ekspert financiar dhe i tregjeve ndërkombëtare që punon e jeton në Londër, në një intervistë për Telegrafin në emisionin “Përballje” ka folur për ekonominë e inflacionin në tregjet ndërkombëtare, shitje-blerjet në bursat ndërkombëtare, për krizën energjetike dhe gjendjen aktuale ekonomike në Kosovë.

Bajra tha se gjendja ekonomike të cilën sot po e përjeton bota ka të bëjë me një fillim të ri të çmimores.


Sipas tij, çdo aset që është shitur dhe blerë po rivlerësohet.

“Kemi arritur tek konkluzioni që tregjet ndikojnë në të gjitha aspektet, sociale, ekonomike, politike të vendeve, popujve, shteteve. Sot çka po përjetojmë në aspektin financiar, në aspektin e krizës së konfidencës në tregje, kemi një fillim të ri të çmimores. Çdo aset që është shitur dhe blerë po rivlerësohet. Ne e quajmë ‘repressing’ në tregje, ndërsa në gjuhën shqipe mund ta konsiderojmë si rivlerësim. Janë shumë arsye mbrapa kësaj, natyrisht është gjeo-politika me agresionin e Rusisë në Ukrainë. Po ashtu është dhe COVID-19 si aspekt që ndikoi për shkak se shumë asete u stagnuan në vlerësim”, ka thënë Bajra.

Siç vlerësoi Bajra në intervistën e emisionit ‘Përballje” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, se çdo aset që investitorët kanë blerë në vitin 2019-2020 nuk është përdorë, shkak pandemia me COVID-19.

Emanuel Bajra, analist dhe ekspert financiar/Foto: Ridvan Slivova

E kjo sipas tij, ka bërë që edhe paraja ta humb vlerën e saj.

“Investitorët që blenë në vitin 2019-2020 nuk pati aktivitete dhe në tregjet e kapitalit gjatë viteve 2020-2021. Në vitin 2021 ne erdhëm në cikël, prej vitit 2008 deri në vitin 2020 ka qenë një cikël i blerjes të madhe dhe fryrjes së aseteve. Ka pas vlerësim të madh të aseteve pas lufte, pas krizës kreditore në vitin 2008. Për shkak se shumë nga ekonomitë e mëdha prej G7, SHBA, Britania e Madhe, Evropa si Eurozonë, Japonia, ndërmarrin masa që njihen si QE, p.sh Banka Qendrore e Anglisë, shtoi një sasi për bankat komerciale dhe ju thotë ‘operoni, investoni, shpërndani në linjat kreditore’. Kjo ndodhi për 12 vjet”, theksoi ai duke shtuar se kur paraja rrinë në sistem, ajo e humb vlerën gradualisht.

“Kur paraja rrinë në sistem, ajo e humb vlerën gradualisht, për shkak se investitorët kanë limite se sa kanë kufizime, e se sa mund të blejnë apo sa mund të shesin dhe ata i rritën epshet e veta, u vetë-përmbushën, u vetëkënaqën”, tha ai duke shtuar se “tash është koha vetëm të shesësh”.

“Prej sot profesionalisht, kam ndërmarr masa, kam shitur. Për shkak se pa marr parasysh që percepsionet janë që duhen blerë, por si portfolio personale ti duhet të shesësh. Dhe të gjithë janë duke shitur”, u shpreh ai.

Eksperti financiar, Emanuel Bajra në një intervistë me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu/Foto: Ridvan Slivova

Eksperti financiar tregoi se në Britani të Madhe problemi qëndron te rënia e funtës e te ngritja e dollarit amerikan.

“Në Britani të Madhe e kemi një problem, rënien e vlerës së funtës. Për rënien e saj u panë dhënë shenjat në fillim të vitit. Pasi dollari filloj të thith krejt kapitalin e botës. Tash ka filluar një plasaritje brenda perëndimit, pasi lindja nuk është e integruar në sistemin e kapitalit dhe ato të tregjeve, bursave, etj. Tashmë e kemi një plasaritje, pasi dollari po qëndron shumë lartë, mirë është por dhe nuk është mirë. Kjo është mirë për Amerikën, e mira do ishte për të gjithë ekonominë globale dhe perëndimore, por nuk është mirë për ekonominë individuale”, theksoi Bajra.

Sipas tij, euro është shumë e zhvlerësuar në krahasim me dollarin, por si valutë është shumë më e qëndrueshme se sa dollari.

Kjo sipas tij, se euro e ka gjeografinë më të vogël, por fuqinë më të madhe të blerjes. “Sepse është tregu më i madh në botë, pasi Eurozona është tregu më i madh në botë”.

Gjithashtu, ai në këtë intervistë ka folur për inflacionin në Kosovë, krizën globale me energji elektrike dhe ndikimet që ka në tregun global invazioni i Rusisë në Ukrainë. /Telegrafi/