LAJMI I FUNDIT:

Ekspertët: Maqedonia në alarm pas sulmeve terroriste në Turqi (Video)

Ekspertët: Maqedonia në alarm pas sulmeve terroriste në Turqi (Video)

Ekspertët për çështje të sigurisë thonë se sulmet e fundit terroriste, sikur ai që ndodhi mbrëmë në Ankara të Turqisë ka shtuar shqetësimet dhe pasigurinë në shumë vende të Evropës përfshirë edhe Ballkanin.

Sipas tyre, nga këto rreziqet nuk përjashtohet as Maqedonia, e  cila është pjesë e shtegut ballkanik për refugjatët që vijnë nga vendet e krizës në Lindjen e Mesme. Lidija Georgieva, ligjëruese universitare për çështje të sigurisë thotë se pas sulmeve të tilla, alarmi përfshin edhe Maqedoninë, thonë ekspertët për Tv21.


“Rreziku është i lartë. Jo vetëm për sulmet terroriste në Turqi, por edhe për shkak  jostabilitetit të përgjithshëm në rajon. Domethënë, pamundësia e kontrollimit të grupeve të armatosura në Siri dhe shtetet përreth, në rajon dhe Lindjen e Afërt. Kjo tërheq rrezik të lartë të shpërndarjes së konfliktit edhe në shtetet përreth Turqisë, por edhe në shtetet e Evropës. Nuk është vetëm Maqedonia në rrezik, këtu bëjnë pjesë dhe shtete e Evropës Perëndimore,  pasi që qytetarët e tyre janlë pjesë e grupeve dhe lëvizjeve radikale”, tha Georgieva.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bllagoja Markovski  po ashtu thotë se as Maqedonia nuk është e sigurt, pasi që sipas tij,  shumë shtetas janë pjesë e formacionit terrorist ISIS.

“As rajoni, as Maqedonia nuk është e sigurt sepse të dhënat tregojnë se prej rajonit dhe prej Maqedonisë ka njerëz të përfshirë në strukturat e ISIS-it në Siri dhe Irak. Në këtë aspekt, ata me kthimin e tyre, ose gjatë kohës së përgaditjeve për tu kthyer si detyrë ideologjike mund të organizojnë aktivitete për mundësinë e sulmeve në vend dhe në rajon”, shtoi Markovski.

Ekspertët për çështje sigurie theksojnë nevojën e rritjes së bashkëpunimit midis vendeve të rajonit dhe shkëmbimit të informacioneve për detektimin e kërcënimeve dhe planifikimeve terroriste që rrezikojnë stabilitetin në vend./Telegrafi/