Ekspertët e sigurisë: Gradimi në polici motivon gjeneratat e reja

Më 26 qershor do të mbahet testimi i parë për zyrtarët policorë dhe rreshterët për gradën toger, ndërsa më pas pritet të vazhdohet me testimin për gradën rreshter. Kjo vjen pas nënshkrimit të udhëzimit administrativ për gradimin e zyrtarëve policorë. Ekspertët thonë se kjo do t’i motivojë gjeneratat e reja.
Proces i nevojshëm dhe motivim për gjeneratat e reja në polici po vlerësohet nga ekspertët e sigurisë gradimi që pritet të bëhet në Policinë e Kosovës, me udhëzimin e ri administrativ.
Për këtë njoftuan një ditë më parë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, i cili u ka bërë thirrje zyrtarëve policorë që të aplikojnë në këtë proces gradimi.
“Pas një pune të përbashkët të grupeve punuese, tashmë kemi udhëzimin administrativ që mundëson gradimin e zyrtarëve, me ç’rast realizohet një e drejtë e zyrtarëve, të cilët për mbi dhjetë vjet nuk kanë mundur të gradohen në gradën rreshter apo toger”, tha ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se procesi duhet të jetë i bazuar në meritokraci.
“Është motivim për gjeneratat e reja në polici, për zhvillimin e karrierës së tyre. Mendoj që do të shikohet meritokracia, PR-ja zyrtare policore e atij polici dhe pastaj të vendosë paneli profesional dhe të gradohet policia, duke pasur parasysh që ka mungesë në departamente të caktuara në polici”, tha Arben Dashevci, ekspert i sigurisë.
Dashevci vlerëson se pozitat e njëjta duhet të plotësohen pas gradimit.
“Duke pasur parasysh edhe moshën e vjetër në polici, pensionimin e zyrtarëve të vjetër me grada në polici, shpresoj që ky konkurs të hapet sa më shpejt që të rritet edhe motivimi për zyrtarët policorë. Edhe ata me shkollime policore janë të avancuar në gjithë botën, andaj gradimi është i nevojshëm, gjithmonë me meritokraci dhe sipas PR-it që e kontrollojnë gradat e larta policore”, tha Dashevci.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, kanë bërë të ditur se më 26 qershor do të mbahet testimi i parë për zyrtarët policorë dhe rreshterët për gradën toger, ndërsa më pas do të vazhdohet me testimin për gradën rreshter./RTK







































