LAJMI I FUNDIT:

Ekipi i xhudos së bashku me kryeministrin Kurti flasin para mijëra qytetarëve në sheshin “Zahir Pajaziti”

Ekipi i xhudos së bashku me kryeministrin Kurti flasin para mijëra qytetarëve në sheshin “Zahir Pajaziti”

Një numër i madh i qytetarëve kanë përshëndetur ekipin e xhudos, të cilët tashmë kanë arritur në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi fituan medalje të arta në Lojërat Olimpike të Tokios, duke bërë krenar të gjithë popullin shqiptar.


Nën përcjelljen e Kryeministrit Albin Kurti dhe pjesës tjetër të ekipit qeveritar të Kosovës, ata që na kanë bërë krenarë u janë drejtuar qytetarëve.

“Në Olimpiadën e parë, Majlinda i solli Kosovës medaljen e parë të artë në Rio, derisa në ato të Tokios, Distria dhe Nora i sollën vendit dy. Medaljet e arta, aq sa kërkojnë talentë, kërkojnë edhe mund”, ka thënë i pari i vendit.

“Tri medalje të arta, nga tri gra, kjo fjali me shtatë fjalë, faleminderit vajzave, faleminderit trajnerëve dhe secilit që ka ndihmuar. Tani, le të fillojnë përgatitje për në Paris dhe të fitojmë edhe më shumë medalje”.

Më pas, me një fjalë rasti iu drejtuar edhe Driton Kuka, duke falënderuar qytetarëve për pritjen e bërë.

“E kam pritur një pritje dinjitoze, por që do të ishte një  i tillë, nuk e kam pritur. Është kënaqësi që pas asaj që ndodhi në Rio, një medalje e artë, që ka hap shumë dimensione. Ajo që i ka hap dyert e Kosovës, është Majlinda, ëndrrën për medalje e kanë vazhduar Distria dhe Nora, që kanë qenë kandidate për medalje, por dy të arta, kanë kaluar pritjet e mija”, ka shtuar më tej trajneri i xhudos.

Qytetarëve po ashtu u është drejtuar edhe Distria Krasniqi që mes shumë emocioneve, po ashtu falënderoj qytetarët për pritjen.

“Sukseset e Majlindës më kanë lënë të kuptoj se me punë mund të arrijmë. I kisha inkurajuar të rinjtë sonte që të punojnë shumë për ëndrrat e juaja. Faleminderit që na keni mbështetur gjatë gjithë kohës”, ka deklaruar ajo.

Më pas ishte radha edhe për Nora Gjakovën, që tha se ëndrra e saj është bërë realitet.

“Falënderoj të gjithë popullin e Kosovës. Vetëm dua të ju them se vetëm me punë dhe përkushtim mund të arrihen gjërat. Kjo medalje është për ju”, ka përfunduar ajo.

Me kaq edhe përfundoi kjo pritje e madhe për medalistet tona që na bënë krenarë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. /Telegrafi/