Efekti nocebo dhe “mitet” e fizioterapisë - Valon Maloku në podcastin “Shëndeti në rend të parë”

Në episodin e 70-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, fizioterapisti Valon Maloku ngriti disa nga çështjet më të rëndësishme dhe më pak të kuptuara në fushën e fizioterapisë, duke filluar nga efekti nocebo e deri tek keqkuptimet e trajtimeve të zakonshme.
Sipas tij, një nga problemet më të mëdha është mënyra se si pacientët ndikohen nga pritjet dhe informacioni që marrin nga profesionistët shëndetësorë.
- YouTube www.youtube.com
Efekti nocebo, që nënkupton përkeqësimin e gjendjes për shkak të pritjeve negative, është shumë i pranishëm.
“Një fjali e thënë gabim mund të ndikojë që pacienti të frikësohet dhe të ndryshojë mënyrën e jetesës në mënyrë negative”, thekson Maloku.
Ai shton se shpeshherë dhimbja nuk lidhet drejtpërdrejt me një problem strukturor, por me faktorë psikologjikë dhe stilin e jetës.
Madje, siç tha Maloku në shumë raste, edhe ekzaminimet si grafitë mund të mos përputhen me gjendjen reale të pacientit.
Një tjetër pikë e fortë e diskutimit ishte kritika ndaj trajtimeve të zakonshme si masazhet dhe rrymat, të cilat sipas tij nuk sjellin ndryshime reale strukturore në trup.
“Masazhi ka efekt relaksues dhe psikologjik, por nuk e zgjidh problemin në thelb”, tha ai.
Në vend të kësaj, Maloku thekson se ushtrimet fizike dhe ndryshimi i stilit të jetës janë baza e trajtimit.
“Ushtrimet janë alfa dhe omega për përmirësim afatgjatë”, shton ai.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për praktikat jo etike në këtë fushë, ku disa profesionistë mund të fokusohen më shumë në përfitime financiare sesa në mirëqenien e pacientit. /Telegrafi/




















































