Neymar vazhdon të jetë një nga figurat më të admiruara të futbollit botëror, dhe këtë e dëshmoi edhe skena e veçantë që u pa pas ndeshjes së Brazilit ndaj Panamasë.

Megjithëse sulmuesi brazilian nuk luajti dhe e ndoqi takimin nga stoli për shkak të rikuperimit nga një dëmtim, ai ishte personazhi më i kërkuar pas përfundimit të sfidës.


Menjëherë pas fishkëllimës së fundit, futbollistët dhe anëtarët e stafit të Panamasë iu afruan Neymarit për të bërë fotografi me të. Disa prej tyre pritën me durim në radhë vetëm për të siguruar një kujtim me yllin brazilian.

Pamjet u shpërndanë shpejt në rrjetet sociale dhe treguan edhe një herë ndikimin e madh që Neymar vazhdon të ketë në botën e futbollit, pavarësisht se vitet e fundit është përballur shpesh me lëndime dhe periudha të vështira.

Braziliani nuk ishte në dispozicion për këtë ndeshje, por prania e tij pranë ekipit të Carlo Ancelottit tërhoqi po aq vëmendje sa edhe ngjarjet në fushë.

Ndërkohë, Brazili mbetet optimist për gjendjen e sulmuesit dhe pritet që ai të jetë gati për sfidat e ardhshme, pasi vazhdon procesin e rikuperimit. /Telegrafi/

telegrafi sport app