LAJMI I FUNDIT:

Edhe disa ditë në përfundim të fushatës, kandidatët për kryetar shteti kërkojnë mbështetje

Edhe disa ditë në përfundim të fushatës, kandidatët për kryetar shteti kërkojnë mbështetje

Fushata parazgjedhore për kryetar shteti ka filluar më 1 prill, ndërsa kandidatët të cilët synojnë të udhëheqin me shtetin edhe gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aktivitetet e tyre.

Blerim Reka, Gordana Siljanovska dhe Stevo Pendarovski dje kanë realizuar takime me qytetarët nëpër vende të ndryshme, të cilat Telegrafi Maqedoni jua sjell të përmbledhura në një vend.


Kandidati i cili përkrahet nga partitë opozitare shqiptare Blerim Reka, dje ka mbajtur tubim në Zhelinë. Ai tha se mungesa e perspektivës ka zbrazur për një çerek popullatën e vendit.

““Qytetarët po shpërngulen jo vetëm nga papunësia, por edhe nga korrpusioni institucional, nepotizmi. Nëse tani nuk e rikthejmë Republikën në binaret Euro- Atlantike, çfarë na duhet nesër anëtarësimi në BE si shtet i zbrazur kur veç më gjysma e popullatës do të jetë e “integruar” në BE. Si president i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të punojë në parandalimin e integrimit në BE si shtet i zbrazur. Për Maqedoninë e Veriut në BE, si shtet bashkë me qytetarët e saj”, theksoi Reka.

Gordana Siljanovska, e cila mbështetet nga partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, dje ka qëndruar në Shën Nikollë, prej ku kërkoi edhe mbështetjen e qytetarëve.

“Burimi i energjisë time është te ajo se besoj në drejtësi dhe tek e drejta. Politika e keqe duhet të dënohet. Pushtetit non-stop flet për politikën, ndërsa ne i paralajmërojmë për drejtësinë, e cila është para politikës. Nëse politika nuk kufizohet me drejtësinë, nëse nuk është nën drejtësinë, ajo do të çojë në pushtet të padrejtë”, tha Siljanovska.

Ndërsa kandidati i cili përkrahet nga partitë në pushtet Stevo Pendarovski, dje ka mbajtur tubimin qendror në Shkup.

“Populli jonë përfundimisht do të vendos vulë nga e kaluara e errët dhe do të shkojmë përpara. Ka përfunduar koha e ushtarëve. Duhet të kemi president që bashkon dhe jo që ndan”, tha Pendarovski.

Ndryshe, kandidatët për kryetar shteti edhe gjatë ditës së sotme do të vazhdojnë me aktivitetet në kuadër të fushatës parazgjedhore, e cila do të përfundojë më 19 prill./Telegrafi/