“E përdorin për probleme familjare”, Getinjo flet për përdorimin e tepruar të ChatGPT-së

Rap-artisti, Getinjo, ka ndarë së fundmi një shqetësim që lidhet me përdorimin gjithnjë e më të madh të Inteligjencës Artificiale.
Përmes disa postimeve në Instastory, ai foli hapur për bezdisjen që i shkakton përdorimi i tepruar i platformave si ChatGPT.
Ai u drejtua ndjekësve të tij duke kërkuar mendimin e tyre, pasi sipas tij kjo është një dukuri që po e shqetëson dhe donte të kuptonte nëse edhe të tjerët ndihen njësoj.

Theksoi se njerëzit po bëhen gjithnjë e më të varur nga këto mjete, ndërsa ajo që e shqetëson më shumë është përdorimi i tyre për çështje emocionale dhe situata shumë personale apo intime.
Megjithatë, Getinjo pranoi sinqerisht se edhe vetë e përdor ChatGPT-në, por vetëm për të marrë informacione dhe për të mësuar gjëra të reja.

“ChatGPT nuk duhet të përdoret për probleme familjare”, u shpreh ai, duke shtuar se tema të tilla duhet të diskutohen drejtpërdrejt me njerëzit më të afërt, si nëna, vëllai apo partneri.
Në fund, artisti theksoi se kjo është thjesht këndvështrimi i tij personal: “Ndoshta e kam keq unë, por sipas meje ky është një problem”.
Pavarësisht kësaj, tregoi mirëkuptim për zgjedhjet e të tjerëve dhe e mbylli mesazhin me një ton pozitiv: “Ju dua njerëz, vazhdoni me ChatGPT në mënyrën si të doni ju". /Telegrafi/






























































