LAJMI I FUNDIT:

“E mundimshme”, pensionistët ankohen për lajmërimin çdo gjashtë muaj

“E mundimshme”, pensionistët ankohen për lajmërimin çdo gjashtë muaj

Nga fillimi i këtij muaji, pensionistët mbi moshën 85 vjeçare në komunat e rajonit të kryeqytetit mund të mos paraqiten fizikisht në Departamentin e Pensioneve. Por në komunat e tjera të vendit, pensionistët, çdo 6 muaj obligohen të paraqiten fizikisht në zyrat e pensioneve. Ministria nuk ka treguar nëse aktualisht pilot-projekti, synon shtrirjen edhe në komuna të tjera.

Nga Astrazubi, çifti Morina, mbërritën Malishevë për të përmbushur një obligim që e konsiderojnë të mundimshëm.


Çdo gjashtë muaj, ata duhet të konfirmojnë se janë të gjallë për të vazhduar të gëzojnë pensionet e tyre.

“Ne po harrojmë se kur duhet të lajmërohemi  të moshuar jemi”, ka thënë Taf Morina-Pensionist.

“Ne erdhëm me marrë pensionin na thënë se nuk keni qenë për tu lajmëruar, tani erdhëm më u lajmëruar që jemi gjallë për pension”, ka theksuar Xhylije Morina-Pensioniste.

Njëjtë sikur çifti Morina, për qëllimin e njëjtë në këtë qendër erdhi edhe Dalip Halitaj.

Por, ai nuk kishte mbërritur të lajmërohej me kohë, duke mbetur pa e marrë pensionin për muajin shkurt.

“Pak po, për disa që nuk munden me dalë po me doket që është pak maltretim”, ka thënë Dalip Halitaj-Pensionist.

Praktika e paraqitjes së të moshuarve është kundërshtuar fuqishëm, përveç nga pensionistët edhe përfaqësues të tyre e shoqëria në përgjithësi.

Për këtë, Ministria e Financave, në fillim të këtij muaji ka filluar pilotimin e një projekti që përmes ekipeve mobile, të bëhet evidentimi i pensionistëve mbi moshën 85 vjeçare, por kjo aktualisht vlen vetëm për komunat e rajonit të Prishtinës.

Paraqitja e kërkesës, bëhet në formë elektronike, të paktën 7 ditë para datës kur do të duhej të paraqiteshin në departamentin e Pensioneve.

Ministria, nuk ka kthyer përgjigje për televizion në pyetje nëse një projekt i tillë pritet që të shtrihet edhe në komuna të tjera të vendit./RTV Dukagjini/