LAJMI I FUNDIT:

“E Majta” e dorëzoi në Kuvend nismën për referendum kundër Marrëveshjes me Bullgarinë

“E Majta” e dorëzoi në Kuvend nismën për referendum kundër Marrëveshjes me Bullgarinë

Partia “E Majta” sot dorëzoi në Kuvendin e RMV-së nismën për referendum kundër Marrëveshjes me Bullgarinë.

Kryetari i kësaj partie Dimitar Apasiev deklaroi se kërkesa e dorëzuar në Kuvend është për referendum të detyrueshëm. Ai tha se janë grumbulluar 750 nënshkrime, ndërsa pyetja në referendum do të jetë “A jeni për vazhdimin e negociatave me BE-në me pranimin e konstatimeve të Kuvendit më 16 korrik të vitit 2022”.


Apasiev shtoi se pret që kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi ta vendos në rend dite nismën.

“Mendojmë se formulimi i këtillë i ndershëm, në aspekt juridik është korrekt dhe presim që të mos ketë pengesa në vijimin e mëtejmë të procedurës. Gjëja e vetme që duam ta potencojmë është problemet me të cilat u ballafaquam, përkatësisht krahas asaj që kemi procedurë më të rëndë në Evropë për grumbullimin e nënshkrimeve kishim edhe mungesën e ekipeve të plota të KSHZ-së”, tha Dimitar Apasiev.

Ndryshe, iniciativë për referendum për marrëveshjen mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, një muaj më parë dorëzoi edhe OBRM-PDUKM. Por kryeparlamentari, Talat Xhaferi e refuzoi nismën me arsyetimin se marrëveshja ishte ndërkombëtare dhe e ratifikuar në Kuvend dhe sipas Kushtetutës nuk mund të ndryshohet me ligj.