Barcelona ka siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit të talentuar Eric Garcia.

Mbrojtësi i talentuar spanjoll ishte larguar në vitin 2017 nga akademia e Barcelonës për t’iu bashkuar gjigantit anglez Manchester City.

Lojtari ka zhvilluar 13 ndeshje me ekipin e parë të Cityt këtë edicion dhe shihet si një mbrojtës me të ardhme të madhe.

Ka qenë e përditshmja spanjolle Diario Sport që ka zbuluar se Barcelona ka një marrëveshje personale me lojtarin për ta rikthyer në Camp Nou.

Katalunasit do të futën tani në bisedime me Manchester Cityn për të parë mundësinë që ta blejnë përfundimisht këtë verë qendërmbrojtësin e talentuar.

Eric Garcia . (Photo by Alex Livesey/Getty Images)

Por nëse nuk arrihet një marrëveshje mes klubeve, atëherë Barça do ta pres lojtarin që të rikthehet në Camp Nou vitin e ardhshëm si agjent i lirë pasi i skadon kontrata me Cityn.

Skuadra nga Manchesteri i ka bërë një ofertë të re për vazhdimin e kontratës Garcias, por spanjolli ka hezituar ta nënshkruajë atë.

Qëllimi i qendërmbrojtësit është të rikthehet në Camp Nou ku shihet si pasardhës i Gerrard Pique.

Gjithnjë sipas të përditshmes katalunase 19-vjeçari ka vendosur për tu rikthyer në vendlindje dhe tanimë ka gjetur gjuhë të përbashkët me klubin për një kontratë pesë vjeçare.

Eric Garcia. (Photo by Clive Mason/Getty Images)

Garcia ishte larguar nga Barça U-16 tri vite më parë për shkak të keqmenaxhimit të La Masias, ndërsa rikthimi i tij në vendlindje tani duket i sigurt.

Reprezentuesi i Kombëtares së Spanjës U-21 vlerësohet tani rreth 10 milionë euro, por vështirë se Barcelona do ta paguajë këtë shumë për një lojtar që ka vetëm edhe një vit kontratë me Cityn.

Diario Sport shkruan se Barcelona është gati të shpenzojë vetëm pesë milionë euro për ta rikthyer mbrapa lojtarin, shumë që mund të pranohet nga City pasi pas një viti rrezikojnë ta humbasin pa para yllin e ri spanjoll. /Telegrafi/