LAJMI I FUNDIT:

Dy mbretëritë e Gjergjit: Mbretëria e tokës e mbretëria e qiellit

Dy mbretëritë e Gjergjit: Mbretëria e tokës e mbretëria e qiellit

Nga: Vehbi Miftari

Ndjenja e përkatësisë dhe ajo e origjinës, toka e të parëve, trashëgimia familjare e tradita kristiane, traditat kulturore, doket e zakonet, gjuha, vendi e farefisnia, përbëjnë “kujtesën e arkivuar” të Gjergjit përsa kohë fati mizor e mban të lidhur për oborrin e shkelësit të vendit të të parëve. Ajo është thirrja e brendshme për t’iu kthyer herët a vonë këtyre shenjave, që janë tokësore e qiellore.

Të parat lidhen me “tokën e babë Gjonit”. Në kuptimin material ajo përbën pronë familjare së cilës duhet t’i dalim zot. Porse, në kuptimin simbolik ajo ishte “atdheu i kujtuar”, trashëgimia të cilën e ripërtërinte vazhdimisht në kujtesë.

Ajo kishte përmasa jo vetëm të vendit të të parëve, pra të “tokës historike”, por edhe të vendit, i cili, duke u rikujtuar merr kuptim simbolik, përtej atij material. Si vend i të parëve ai përbën territor të njohur historikisht (lieux d’histoire), në të cilin kanë jetuar “gjinja” e tij. Rrjedhimisht, ai nuk mund të jetë vetvetiu motivues për lëvizje të reja. Por, kuptimi simbolik e shndërron në vend të kujtuar (leux de mémoire), motivues për rikthim të tij e të gjendjes së tij, sikur të përbënte kthim në esencën e gjërave të cilat na përdallojnë nga të tjerët. Pa synimin për ta ripërtërirë në kujtesë, leux de mémoire do të mbetej i pandashëm nga lieux d’histoire.

Pra, atdheu fizik shndërrohet lehtësisht në strumbullar të kujtesës për origjinën e përkatësinë. Kuptimi i tij imaterial, shpirtëror e simbolik, e ndihmon krijimin e vetëdijes për të, sikur që e ndihmon edhe lindjen e mitit (të heroit), i cili mund ta dëshmojë atë. Këto duhet të kenë qenë shtysat e Kastriotit të ri që t’u ngjante Kastriotëve të vjetër, të cilët e projektuan atdheun e tyre në kufijtë e zotërimeve të veta. Sikur u tha, Gjergji e kishte ndrydhur në vete për kohë të gjatë “vendin e kujtuem”. E, duke e ndrydhur e kishte nxitur të jetonte më intensivisht brenda tij.

“Shikonte akoma, në skenën e fantazisë, Atdheun e pushtuar. Mizoritë e kryera… mëmën fatzezë, Vojsavën, duke u shuar nga dhimbja për humbjen e të bijve. Atin e motuar, i cili pati forcë ta përballonte gjithë këtë mënxyrë deri në vitin 1442″.

Kur, më 1443 rrethanat ia mundësuan t’i shfaqej përfundimisht Europës Perëndimore, jo më si shtypës, por si mbrojtës i paepur i saj “pas njëzet vjet vuajtjesh të heshtura dhe heroizmi të fshehur”, ai e shpalosi vendin e kujtuem e u kujtua për të e për zotërimet e babës, për veten e mbajtur peng te sulltani e për pengun e mbetun brenda tij: me e shpague syrgjynosjen, i vetëdijshëm se sa e rëndë ishte shpata e islamit mbi qytetërimin e krishterë europian. E, ishte viti i shpalljes së enciklikës së papës Eugjeni IV, me të cilën ai e shpallte kryqëzatën.

Për sa kohë qe “rob” në kampin e sulltanit, ai e ruajti në kujtesë dashurinë e përhershme për vendin e të parëve (amor patriae). Barleti i referohet patria-s si “mbretëri atërore”. Kufijtë e saj qenë kufijtë “e tokës së babës”, herën e parë, e kufijtë brenda të cilëve jetonin fiset arbërore, herën e dytë. Territori në të cilin qeveriste i ati, Gjoni, qenë “kufij të kujtuar”, të cilëve ai u referohej sikur substratit mbi të cilin do ta hartonte projektin e tij për “arbërinë mbretërore”, ose për territorin i cili nuk është më vetëm territori i fisit të tij, por arenë e homogjenizimit të fiseve përmbi një simbolikë të fuqishme dalluese, siç është gjuha, territori e kultura e përbashkët. Kësisoj, dheu atëror u shndërrua në epiqendër të projektit të tij për ta krijuar lidhjen e përbashkët mes arbërorëve katolikë (si lidhje mes “princave farefis”, sikur i quante Barleti), e cila i mblodhi fiset arbërore, por edhe fiset e tjera të robëruara përreth Arbërisë.

Pra, përpara se ta synonte lidhjen e zotërimeve (territorit), Skënderbeu e synonte lidhjen e njerëzve, të cilët i bashkonte gjuha, kultura e besimi. Kësisoj, duke e synuar aleancën me princat arbër, ai e synonte përbashkimin e tyre mbi premisat etnosimboliste, ose, së paku, hsitorike e kulturore. Prandaj, edhe pushteti i tij i parë dhe i mirëfilltë u realizua mbi njerëzit, përpara se mbi territoret. Ata e ndoqën gjithandej, u shndërruan në bashkëluftëtarë e bashkëmendimtarë të tij (sado që ndonjëri syresh e tradhtoi më vonë, ose e tradhtoi dhe u rikthye), patën besim tek ai dhe e ndanë me të fatin e tyre e të zotërimeve të veta.

Kujtesa e dytë e fuqishme, të cilën e përmendëm më lart, është kujtesa religjioze. Sikur dëshmon Barleti, si fëmijë Skënderbeu qe i devotshëm ndaj parimeve të krishtera, të cilat nuk i braktisi krejtësisht as sa qe rob në kampin e sulltanit dhe të cilave iu kthye në rastin e parë të mundshëm. Ky formim i mundësoi që të zhvillonte parime qëndrestari, krahas formimit fizik dhe edukimit që kishte marrë:

“Durimi jo i pavend dhe forca e paepur e trupit, si dhe fuqia e pamposhtur e shpirtit të tij, i bënin ballë çdo gjëje me lehtësi”. (Barleti)

Pra, kujtesa për territorin e të parëve dhe për fenë e të parëve u shndërruan në premisa mbi të cilat Skënderbeu e projektoi dashurinë e tij për “mbretërinë tokësore dhe atë qiellore”. Ato e shtynë drejt projektit të parë integrues shqiptar, i cili synonte ripërtëritjen e mbretërisë së tokës e të qiellit, territorializimin e kujtesës së përbashkët dhe aleancën me parimet e kishës. “Me bâ vepra fort të mira kundër turqve për të mirën e fesë së krishtere dhe të Ungjillit” u shndërruan në pikësynim të Skënderbeut, sipas Barletit.

Sikur u theksua tashmë, viti i kthimit të tij në vendin e të parëve përkon me enciklikën e famshme të papës Eugjeni IV për kryqëzatën dhe me prirjet e shumë mbretërive europiane për ta parë Skënderbeun si mbrojtës të vlerave të krishtera. Menjëherë pas kthimit ai vuri marrëdhënie me Republikën e Venedikut (sado që përjetësisht do të mbetet i lidhur me mbretin e Napolit, Alfonsin V të Aragonës, princin ndoshta më të fuqishëm të Mesdheut, si dhe me të birin e tij, Ferranten), në territorin e së cilës e thirri lidhjen e princave të krishterë dhe i kultivoi aleancat me mbretëritë e krishtera perëndimore, përfshirë qytetet e fuqishme italiane, por edhe me mbretërinë hungareze.

Mbretëria për të cilën luftonte Skënderbeu (referuar Barletit) në rrafshin shpirtëror qe “Republika e Krishtit”, aleanca e krishterë, e cila në pikëshikimin e Barletit qe mbrojtësja e vetme e vlerave qytetëruese të Perëndimit. Skënderbeu qe princi mbrojtës i saj, ndërsa ushtarët e vënë nën urdhrat e tij qenë “ushtarë kryqtarë”, të cilët në njërën anë luftonin për “republikën” historike (ripërtëritjen e Arbërisë historike), ndërsa në anën tjetër për “republikën e Krishtit” (riprtëritjen e qytetërimit perëndimor e të vlerave kulturore të shqiptarëve të kohës). Pra, nuk qe e rastësishme që Papa Piu II, në synimet e tij për ta dëbuar Perandorinë Osmane nga Europa, në krye të ushtrisë së përbashkët kryqtare e kishte menduar pikërisht atë “që e bartte emrin e Aleksandrit” dhe e kishte projektuar “planin e një mbretërie të krishterë të epirotëve të rinj”. Pra, ai e projektonte idenë e një mbretërie të re të Arbrit, mbi parimet e mbretërive të krishtera dhe në krye të saj e projektonte kryqtarin Skënderbe, duke e parë atë edhe si trashëgues të mbretërisë së hershme e të madhështisë së dikurshme të Aleksandrit të Madh. Kësisoj, mbretëria e Arbrit, nën shenjën e Krishtit, do të ishte reinkarnim i historisë: ajo do ta ringjallte kulturën e hershme kristiane dhe do ta rijetësonte mbretërinë epirote. Në krye të saj e mbrojtës i vlerave të saj do të ishte Aleksandri i ri, Skënderbeu.

Kruja qe qyteti qendror i mbretërisë së kujtuar të Gjonit dhe i mbretërisë së rilindur të Gjergjit; përreth saj do të hartohej projekti i mbretërisë arbërore. Ajo do të shndërrohej në fortifikatë qendrore të saj.

Pra, Ripërtëritja e “mbretërisë së tokës”  qe e lidhur ngushtë me ripërtëritjen e “mbretërisë së qiellit”. Duke qenë pranë portës lidhëse të Via Egnatia-s dhe në portën mbrojtëse të krishterimit, Arbëria qe natyrshëm faktor i rëndësishëm në krijimin dhe ruajtjen e aleancave të krishtera. Në projektin e Skënderbeut ato qenë edhe rrjedhojë e kujtesës së tejbartur për tokën e qiellin. Nëse anëtarët e mbretërisë qiellore qenë lehtësisht të identifikueshëm, katolikët e zonave në të cilat mbretëronte Kastrioti, anëtarët e mbretërisë tokësore nuk qenë vetëm anëtarët e fisit të Kastriotit, por të krahinave të tjera, të cilat historikisht kishin jetuar në lidhje gjaku, gjuhe e kulture me njëra-tjetrën.

Arbëria e krijoi lidhjen e fiseve që i bashkon gjaku, gjuha, territori dhe kujtesa e përbashkët, qoftë ajo historike, religjioze ose kulturore. Kjo strukturë (deri diku homogjene) i kishte krijuar edhe paradigmat mbi të cilat do ta zhvillonte programin e saj, si dhe repertoarin përdallues etnik. Pjesë e kësaj simbolike qe, ta zëmë, flamuri i Skënderbeut. Shkaba dykrenore, e cila në flamurin e propozuar nga Kastrioti, nënkupton trashëgiminë perandorake bizantine (të lidhur me ortodoksinë, ani pse ajo e kishte humbur vetësigurinë e dikurshme dhe Kastrioti do të kthehej fuqishëm drejt Kishës së Romës), si dhe trashëgiminë arbre. Kësisoj, ai e projektonte mbretërinë e Arbërisë, duke e krijuar fuqishëm sfondin historik të saj.

Por, përtej kësaj, ai i bashkonte njerëzit e një gjuhe, të një kulture, por mbi të gjitha të një besimi (të krishterë, katolik e ortodoks) kundër furisë osmane. Kush i shkonte prapa Kastriotit dhe luftonte nën flamurin e tij, ishte (presupozohej të ishte) ushtar kryqtar, i cili e luftonte shtrirjen e islamit në Europë. Ai shihte në këtë flamur jo vetëm trashëgiminë historike, rrënjët e një perandorie të hershme bizantine, por edhe të krishterimit. E, duke qenë se në shkabën dykrenëshe, kryet tjetër të saj paraqitte identitetin arbëror, simbolika e tij merrte kuptimin e rilindjes së një mbretërie të hershme mbi truallin e një tradite të qytetërimit bizantin, në truallin arbër.

(Nga libri: Letra e Identitete I: Humanistët e filobiblistët)