Policia e Shtetit ka bërë të ditur se brenda 24 orëve kanë realizuar dy operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Policia ka arrestuar në flagrancë 7 shtetas, ndërkaq ka sekuestruar dy armë zjarri, gjashtë celularë dhe 900 000 lekë (mbi 9 mijë euro) të përfituara nga lojërat e fatit.


“Në kuadër të operacionit ‘Fair Play’, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike arrestuan shtetasit L. B., 61 vjeç, B. Ç., 66 vjeç, A. K., 22 vjeç, F. I., 60 vjeç, I. L., 38 vjeç dhe A. D., 50 vjeç, pasi në lokalin e shtetasit L. B., në Vorë, u kapën 5 shtetasit e tjerë, duke organizuar lojëra fati, me celularë. Gjatë kontrollit në lokal u gjetën 6 celularë që përdoreshin për lojëra fati dhe 900 000 lekë të dyshuar të përfituara nga kjo veprimtari”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, në kuadër të operacionit “Next”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin K. M., 25 vjeç, pasi në rrugën “Myslym Keta”, gjatë kontrollit në automjetin që ai drejtonte, u gjetën 2 armë zjarri automatike me municion, të cilat dyshohet se ai i posedonte me qëllim shitjen.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/