Intervistë me shkrimtarin: Visar Zhiti
Intervistoi: Mark Simoni

Pothuaj me çdo autor me të cilin kam bashkëbiseduar, kam hapur diskutimin për letërsinë e viteve 1930, për cilësinë e saj, si dhe për pamjaftushmërinë për ta bërë të njohur për publikun, apo për ta nxjerrë nga mjegullnajat ku herë pas here e ka futur herë politika, herë pakujdesia jonë, herë pamjaftushmëria e studimeve. A keni diçka të ndani rreth kësaj çështje?

Në letrat shqipe, vitet ’30 të shekullit të kaluar ishin të begata dhe plot shqetësim, një prurje evropianizuese në kulturë nën hijen e fortë të një tradite orientale që bëri që inteligjenca shqiptare të shtronte pyetjen e madhe hamletiane: “nga Lindja apo nga Perëndimi?” dhe t’i jepte në shumicë përgjigjen: “nga Perëndimi”.

Me hop në mendimin filozofal dhe me hov artistik u ndje ecuria e mirë në të gjitha gjinitë, poezi e proze e dramë, duke u hedhur themele të reja të modernizimit të tyre si dhe të kritikës letrare ndaj tyre, të artikujve antropologjike, madje u shqua dhe polemika në gazeta dhe revistat kulturore. Dolën emra me vezullim yllësor të përhershëm në letrat shqipe.

Bashkohem me mendimin tuaj për pamjaftueshmërinë e njohjes dhe të studimit të letërsisë së viteve ’30, ku dëmin më të madh, hatanë, sipas meje, e sollën fitimtarët e mëpastajmë me realizmin socialist të tyre duke e ndërprerë atë ecuri dhe duke përfillur veç atë laicitet të ashpër, të çuar deri në dhunë dhe duke dënuar kulturën kristiane që u krijua aq bukur, e domosdoshme për një kulturë evropiane.

Mbështetur në shijet tuaja të leximit, dhe analizën që i bëni letërsisë, a mund të kemi nga ju një panoramë (me vepra dhe autorë), mbi arritjet dhe dinjitetin e letërsisë sonë post realsoc?

Unë bëj pjesë në ata që besojnë se letërsia shqipe e pas viteve ’90 është më e mirë në botime se ajo e para vitive ’90, e socrealizmit, edhe pse koha ende nuk është barazuar me 45 vitet e saj dhe me këtë kam parasysh jo vetëm autorët që i solli epoka postdiktatoriale, por dhe shkrimtarët e diktaturës me vazhdimin e krijimtarisë së tyre në liri.

Madje që tabloja të jetë e vërtetë dhe reale, letërsia shqipe sot duhet parë në tërësinë e saj, pa copëzimet e saj në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut e në Mal të Zi, te arbëreshët dhe në diasporë në Evropë e në SHBA. Gjuha dhe identiteti janë më shumë se fati e politikat shtetërore, sa do sunduese qofshin dhe sado gjatë..

Liria është e domosdoshme për një letërsi. Dhe hapësirat që arrin ajo. Ashtu si ngulmimi i saj në truall te rrënjët. Nëse nëpër diktatura dhe mbyllje janë bërë vepra të mëdha, kjo alibi ka ndodhur jo vetëm nga shkaku i lirisë së brendshme të shkrimtarit, tepër e rëndësishme kjo, por dhe që atij i janë dhënë, – thënë në mënyrë banale, – më shumë “racione lirie” nga vetë diktaura ashtu siç shpërndaheshin dhe racionet e bukës, të djathit apo të një apartamenti ende më të madh etj.

Donit shembuj? Po e nis nga shkrimtarët e njohur të dikurshëm në pjesën këtej, nga Kadareja, ribotimet tani të veprës së tij janë më të mira artistikisht se ato në diktaturë, që dhe ideologjizoheshin si dhe vazhdimet kanë qenë të denja për penën e tij. Poezia e Dritëro Agollit u bë e lirë të ishte dhe e trishtuar dhe me zhgënjime, motive të lakmuara për poetin, që nuk i lejoheshin dukur, Opusi i poezisë së Fatos Arapit, pa ndryshime të ndjeshme në cilësi si para dhe pas ’90, e përforcuar në kumt, është pasuri e qendrueshme, sa kombëtare, po aq dhe evropiane.

Kësaj tabloje unë si lexues nuk kam pse i shkëpus poezinë tashmë klasike të Azem Shkrelit dhe të Ali Podrimjes, romanet e rinj të Mehmet Krajës, Eqrem Bashës etj. në Prishtinë të pas viteve ’90, romanet e Luan Starovës dhe të Kim Mehmetit në Shkup, Anton Gjuravçaj në Podgoricë, poezinë Zef Skro di Majit në Piana degli Albanesi në Palermo, romanet e Ardian Kristian Kuçukut në Bukuresht, të Elvira Dones e të Henrik S. G. në Paris, të Arbër Ahmetjat në Gjenevë, të Gazmend Kapllanit në Çikago, etj,

Nëse romanet e Zija Çelës kanë dominuar në botimet e pas ’90, unë si lexues, nuk mund të mos e mbush tablonë dhe me romanet e Kasëm Trebeshinës, Astrit Delvinës, ashtu si dhe me të Nasi Lerës apo Besnik Mustafajit dhe me vërshimet e reja nga Agron Tufa, Mira Meksi, Virion Graçi, Bashkim Shehu në Barcelonë, Ylljet Aliçka, Flutura Açka, Fatos Lubonja, Rudolf Marku në Londër, Pjetër Arbnorit, Preç Zogaj, Maks Velo, Stefan Çapaliku, Thanas Medi, Mimoza Ahmeti, Marçel Hila, Viktor Cenosinaj, Spartak Ngjela, Xhevair Lleshit, Ermir Nika, Kliton Nesturi, Leonard Veizi, Tom Kuka, Ahmet Selmanit në Shkup, Shpend Noe Sollakut në Veri të Italisë, Ilir Levonja në SHBA, etj, memuaret romanore të At Zef Pllumit e deri tek romanet e më të riut në Shkodër Andreas Dushi si dhe me prozën e shkurtër të Lazër Stanit, Faruk Myrtajt, esetë-poezi të Moikom Zeqos, Arian Lekës, të Luan Ramës në Paris, veprat studimore të Ardian Vehbiut, Matteo Mandalá, Luan Topçiut, Eugjen Merlikës, Minella Aleksit, të gjithë jashtë Shqipërisë, etj, të Behar Gjokës në Tiranë, të Kristaq Jorgos me Edlira Birkon në Universitetin e Tiranës, të Marisa Kerbisit në Universitetin e Durrësit, etj,

Poezia a Frederik Rreshpes ka patur në krah dhe atë të Luljeta Lleshnakut, të Gazmend Krasniqit, të Rita Filipit, po dhe të Elida dhe Skënder Buçpajt në Zvicër, të Jeton Kelmendit në Prishtinë, at e Bir Radët si dhe përkthimet antologjike të Maks Rakipajt në Verit të Italisë, Smajl Smakës në Prishtinë, etj..

Ndjesë për ç’mund të mos kem përmendur, për arsye subjektive, mosangazhim i duhur imi në lexime si dhe mungesa e një kritike udhëzuese etj. tablloja ime është likuide, të moskeqkuptohem ashtu siç nuk kam përmendur dot dhe veten.

Veprat e autorëve që vuajtën ferrin komunist të burgjeve a kanë mundur të prezantojnë aq sa duhet dhe si duhet, pikërisht atë ferr?

Po. Megjithëse nuk e di se sa do të duhej dhe si do të duhej. Di që erdhi e lirë nga robëria, nga nëntoka dhe terri për të sjellë në drit;e veten e saj, që i mjafton.

E rëndësishme dhe e vyer tashmë është që letërsia shqipe ka brenda vetes dhe atë që është quajtur “letërsia e burgjeve”, një prurje mahnitëse, infernale, që solli realitete të munguara jete dhe letërsie me poezi, memuaristikë, tregime, romane të nivelit evropian.

Ajo e shtangu lexuesin shqiptar, e mbushi, i dha dhimbjen dhe urrejtjen ndaj së keqes, e alarmoi për të qenë njeri dhe atëhere kur duket e vështirë apo e pa mundur,

Mbas ’90 u ndje si letërsi parësore.

Çfarë mendoni se duhet bërë, nga botuesit shqiptar dhe shoqërija jonë, në raport me veprat e autorëve disidentë, të autorëve lënë në harresë, me dorëshkrimet e pabotuara për arsye ideologjike, për letërsinë e sirtareve që nuk e pa dot asnjëherë dritën e botimit?

Të gjenden, të botohen nga shteti, të studiohen, të futen në tekstet shkollore dhe universitare, të lexohen publikisht, të vihen në skena, të bëhen filma, të përkthehet. Të përkthehen. T’i tregohet botës që ne qëndruam dhe, sipas një françeskani të ditur, kultura e një populli matet me rezistencën e tij. Qëndresa jonë kishte art.

Kjo letërsi, ashtu siç ndonjëherë kujtohet me bujë qëllimisht, harrohet qëllimisht shpesh here. Ajo ka nevojë për realizëm, mirëkuptim, mirënjohje dhe dashuri. Nuk kanë qenë në lartësinë që ajo meriton, madje më jehonë u kanë bërë nëvlevtësimeve mediokre.

Dua të rikujtoj një thënie të Franc Kafkës: “Nuk ka letërsi të madhe pa të vërteën dhe moralin”. Letërsia e burgjeve tona, e internimeve, ajo “e sirtarëve”, megjithëse shpesh shkrimtarët e saj nuk kishin as sirtar, as veten, solli ato që kishin munguar në socrealizëm, të vërtetën dhe moralin dhe vetë është, sit ë thuash, letërsi postkafkiane.

Cilat janë projektet tuaja letrare dhe a mund të ndani konkretisht diçka që mund t’i interesojë lexuesit të gazetës sonë?

Pasi më dolën së fundmi tre vëllime me poezi në italisht, rumanisht dhe serbisht (“Nata është atdheu im”, “Flatër e mundur” dhe “Shiu i fytyrës time”, ku krahas poezive më të hershme, madje dhe të burgut, kanë dhe poezi të reja që s’i kam botuar ende në atdhe, mbas librit miks “Si na erdhi ai, i ndaluari” me personazh poetin Jevtushenko dhe një student shqiptar, tim bir, po kështu këtë vit botova dhe një përmbledhje me poezi për lexuesin e ri, “Të rritesh nga dashuria”, të shoqëruara me piktura përsëri nga im bir, Atjoni, dhe me një ese hyrëse nga ime shoqe, Eda, po kështu iu përkushtova dhe një drame të tim eti për Kongresin e Lushnjës, pavarsinë e dytë të Shqipërisë, siç është quajtur, libri ishte dhe në këtë panair, i jam rikthyer të rishkruarit të veprës “Panteoni i nëndheshëm ose letërisa e dënuar”, me shtesa dhe përditësime, po e mbaroj.

Pastaj kam dhe punë të ndërprera, që s’e di a do të mund t’i vazhdoj duke qenë dhe i larguar. Sepse më duket sikur gjithmonë kam ndër duar librin e fundit. /mapo/