Dukagjini shkruan histori - fiton Kupën e Kosovës

Dukagjini është fitues i Kupës së Kosovës, pasi në finalen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e mposhti Ferizajn me rezultat 2-1, në një ndeshje me ritëm, VAR, karton të kuq dhe një gol spektakolar që e vendosi trofeun. Hera e parë që Dukagjini e fiton Kupën e Kosovës.
Fillimisht dy skuadrat ishin të kujdesshme, duke mos rrezikuar shumë, por pas 15 minutash u hapën plotësisht.
Ndeshja u zhbllokua, kur Altin Mërlaku realizoi supergol në minutën e 17-të për epërsinë e Dukagjinit për 1-0.
Reagimi i Ferizajt ishte i shpejtë dhe rezultati u barazua (1-1) në minutën e 23-të me golin e Kushtrim Shabanit, duke e kthyer finalen në lojë të hapur.
Në pjesën e parë nuk munguan polemikat, pasi në minutën e 37-të u kërkua penallti për Ferizajn pas një ndërhyrjeje në zonë, por pas rishikimit në VAR, gjyqtari Genc Nuza vendosi se nuk kishte penallti.
Ferizaj pati edhe një rast të mirë në fund të pjesës së parë, me Haxhimusën që me kokë gjuajti pranë shtyllës (45+5’), ndërsa u dhanë tetë minuta shtesë.
Edhe pjesa e dytë u shoqërua me tension dhe vendime të rëndësishme. Në minutën e 63-të, Nuza fillimisht akordoi penallti për Dukagjinin, por pas VAR-it u konstatua se fauli ishte jashtë zonës, dhe vendimi u ndryshua.
Pak minuta më vonë, situata u përkeqësua për Dukagjinin, pasi Erlis Xhemajli u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua në minutën e 70-të, duke e lënë ekipin me dhjetë lojtarë.
Megjithatë, momenti që e vendosi finalen erdhi në minutën e 75-të. Hekuran Berisha shënoi një gol të jashtëzakonshëm nga gjysma e fushës (rreth 50 metra), duke e paraboluar portierin McKenzie dhe duke e kaluar Dukagjinin në avantazh 2-1.

Deri në fund, Ferizaj u përpoq ta shfrytëzojë epërsinë numerike, por Dukagjini u mbrojt me disiplinë dhe e ruajti rezultatin, për ta mbyllur finalen me trofe. Në kohën shtesë, Haxhimusa, mori karton të kuq, dhe Ferizaj mbeti dhe 10 lojtarë.
Ferizaj e braktisi fushën disa minuta para fundit, i irrituar nga 4 minutat shtesë, një rast i diskutueshëm në zonë dhe përjashtimi me të kuq i kapitenit Haxhimusa, ndërsa rezultati ishte 2-1 për Dukagjinin.
Pas rreth 10 minutash ndërprerje, ekipi i Ferizajt u rikthye në fushë dhe ndeshja vazhdoi.
Në tribunat e “Fadil Vokrrit”, ndeshjen e ndoqën edhe figura të rëndësishme, përfshirë përzgjedhësin Franco Foda, ndërsa në stadium ishte edhe presidentja në detyrë Albulena Haxhiu.
Me këtë fitore, Dukagjini e mbyll edicionin me suksesin më të madh në Kupë e Kosovë, ndërsa Ferizaj, pavarësisht një rrugëtimi të madh deri në finale, mbetet pa trofe në ndeshjen vendimtare, duke e shoqëruar edhe me rënien nga elita. /Telegrafi/













































