LAJMI I FUNDIT:

A duhet Serbia ta ekstradojë Radoiçiqin në bazë të fletarrestimit të INTERPOL-it, avokati i tij tregon procedurat

A duhet Serbia ta ekstradojë Radoiçiqin në bazë të fletarrestimit të INTERPOL-it, avokati i tij tregon procedurat

Organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe 11 persona të tjerë në lidhje me sulmin e armatosur më 24 shtator në Banjskë në veri të Kosovës, kurse avokati i Radoçiqit tregon se cila është procedura e mëtejshme në këtë rast.

Avokati Nenad Beqiriq, duke folur për “Nova“, thekson se nëse për klientin e tij (Milan Radoiçiqi) është lëshuar një urdhër i kuq i INTERPOL-it, nuk do të thotë se do të veprohet menjëherë, aq më tepër që është një situatë e ndjeshme politikisht për shtetin [Serbinë].


“Para së gjithash, lajmi për lëshimin e flet-arrestit të INTERPOL-it për Milan Radoiçiqin nuk është sa duhet i saktësuar, sepse prej tij nuk mund të konstatohet se për çfarë fletë-arresti bëhet fjalë. INTERPOL-i mund të lëshojë disa lloje urdhër-arreste dhe vetëm ai i kuq detyron shtetin anëtar të arrestojë dhe ekstradojë të kërkuarin. Në rastin konkret, edhe nëse supozohet se është lëshuar një urdhër i kuq për personin e përmendur, nuk do të thotë se do të veprohet menjëherë, aq më tepër që është një situatë e ndjeshme politikisht për shtetin [Serbinë]. Ajo që e komplikon më tej situatën juridikisht është fakti se ndaj Radoiçiqit po zhvillohet një hetim në Republikën e Serbisë dhe se ka mundësi që hetimi të zhvillohet në lidhje me të njëjtat ngjarje për të cilat kërkohet ekstradimi i tij, si dhe fakti ai është nën masën e ndalimit të largohet nga vendbanimi i tij”, thotë avokati Beqiriq, transmeton Telegrafi.

Rasti Radoiçiq, flasin nga INTERPOL-i për Telegrafin
Lexo po ashtu Rasti Radoiçiq, flasin nga INTERPOL-i për Telegrafin

Sipas tij, çështja e objektivitetit dhe e paanshmërisë, sipas ligjeve, duhet të jetë e padiskutueshme.

“Nëse i përmbahemi Kushtetutës, veprat penale që dyshohet se janë kryer nga Radoiçiq janë kryer në territorin e Republikës së Serbisë, kështu që juridiksioni i prokurorisë dhe gjykatave serbe është i padiskutueshëm. Dhe çështja e objektivitetit dhe paanshmërisë, sipas ligjeve, duhet të jetë gjithashtu e padiskutueshme dhe nëse kështu do të zhvillohet në praktikë, mbetet për t’u parë”, përfundon avokati.

Rashiq konfirmon, INTERPOL-i ka lëshuar urdhër-arrest për Radoiçiqin
Lexo po ashtu Rashiq konfirmon, INTERPOL-i ka lëshuar urdhër-arrest për Radoiçiqin

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë të 24 shtatorit, kur në orët e hershme të mëngjesit ndodhi një konflikt i armatosur me Policinë e Kosovës.

Me atë rast u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa u vranë tre serbë, anëtarë të grupit të armatosur që drejtohej nga Milan Radoiçiq.

Bashkësia ndërkombëtare dhe autoritetet e Kosovës e cilësuan atë konflikt si “akt terrorist”. Më 24 shtator dhe në ditët në vijim, policia e Kosovës gjeti një sasi të madhe të armëve ushtarake në Banjskë dhe rrethinë.

Nga ana tjetër, edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka iniciuar procedurë kundër Radoiçiqit për rastin në Banjskë. Autoritetet hetimore serbe e akuzojnë atë për prodhim të palejuar, mbajtje, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse, si dhe për veprën penale të veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, si dhe shoqërim me qëllim kryerjen e veprës penale. Ai është shënuar si organizator i grupit. /Telegrafi/