LAJMI I FUNDIT:

Dubai do të ndërtojë xhaminë e parë duke përdorur një printer 3D

Dubai do të ndërtojë xhaminë e parë duke përdorur një printer 3D

Dubai po planifikon të ndërtojë xhaminë e parë në botë të printuar në 3D, e cila do të jetë gati në fillim të vitit 2025.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Departamenti i Çështjeve Islame dhe Aktiviteteve Bamirëse të Dubait (IACAD) njoftoi se ndërtimi i xhamisë 2,000 metra katrorë në Bur Dubai do të fillojë në tetor dhe pasi të përfundojë, xhamia do të “strehojë” 600 besimtarë.

Bur Dubai është një nga lagjet më të vjetra në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Printimi 3D i strukturës së ndërtesës do të marrë afërsisht katër muaj për t’u përfunduar me 12 muaj të tjerë për të përshtatur plotësisht objektet e xhamisë, tha IACAD.

Tre punëtorë do të përdorin printerin robotik 3D, i cili do të printojë dy metra katrorë në orë.

Projekti është hapi i fundit i emiratit në strategjinë e tij të printimit 3D në Dubai, i nisur në vitin 2016 nga sundimtari Sheikh Mohammed bin Rashid Al-Maktoum.

Nisma synon të pozicionojë Dubain në krye në fushën e teknologjisë së printimit 3D deri në vitin 2030. /Telegrafi/