Sipas agjencisë italiane të lajmeve Adnkronos, negociatat për përfshirjen e Dua Lipës në edicionin e vitit 2027 të Festivalit të Sanremos kanë avancuar ndjeshëm, ndonëse deri tani as transmetuesi italian Rai dhe as organizatorët e festivalit nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen e këngëtares shqiptaro-britanike.

Nëse arrihet një marrëveshje, Dua Lipa mund të ketë një rol më të rëndësishëm sesa ai i një të ftuareje të zakonshme ndërkombëtare. Sipas raportimeve, ajo mund të jetë bashkëprezantuese në njërën prej netëve kryesore të festivalit.


Edicioni i vitit 2027 i Festivalit të Sanremos do të zhvillohet në Teatrin Ariston, nga 16 deri më 20 shkurt.

Foto: Dua Lipa/Instagram

Nëse konfirmohet pjesëmarrja e saj, ky nuk do të ishte debutimi i Dua Lipës në Sanremo.

Këngëtarja performoi këngën “Don’t Start Now” në festival në vitin 2020, gjatë edicionit të parë të drejtuar nga Amadeus.

Ende nuk dihet se në cilën prej netëve të festivalit të vitit 2027 mund të shfaqet Dua Lipa. Sipas raportimeve, ndër mundësitë janë nata e hapjes dhe finalja, ndërsa një tjetër alternativë mund të jetë nata që lidhet me përzgjedhjen e përfaqësuesit të Italisë në Eurovision.

Aktualisht, Dua Lipa nuk ka të planifikuar ndonjë koncert apo performancë live gjatë datave kur do të mbahet Sanremo 2027, çka do ta bënte të mundshme përfshirjen e saj në festival.

Foto: Dua Lipa/Instagram

Dua Lipa nuk është emri i vetëm i lidhur me edicionin e ardhshëm të Sanremos, i cili do të jetë i pari nën drejtimin e Stefano De Martinos.

Në mesin e emrave të përfolur janë edhe prezantuesja e njohur italiane Maria De Filippi dhe humoristja Brenda Lodigiani.

Megjithatë, për momentin, të gjitha këto mbeten vetëm mundësi, pasi përgatitjet për festivalin vazhdojnë dhe asnjë prej këtyre paraqitjeve nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Nëse Dua Lipa do të marrë vërtet rolin e bashkëprezantueses, pjesëmarrja e saj do të ishte një rikthim i veçantë në skenën e Aristonit, këtë herë jo vetëm si artiste performuese, por edhe si një prej figurave kryesore të festivalit. /Telegrafi/

Foto: Dua Lipa/Instagram