Ditë të vështira për Ferizajn. Sikur të mos mjaftonte paraqitja e zbehtë e ekipit në pjesën e parë të sezonit, të cilin e mbylli në pozitën e fundit në Raiffeisen Superligë, tash atyre iu kanë dalë probleme të reja.

Klubi ua ka borxh lojtarëve një rrogë, atë të muajit nëntor, dhe këta të fundit janë revoltuar, duke paralajmëruar se nuk do t’i vazhdojnë përgatitjet, në rast se kryesia nuk ua kryen obligimet.


Ferizajasit kanë ushtruar të hënën, ndërsa stërvitja e së mërkurës mund të mos zhvillohet fare, nëse nuk lëviz diçka, pasi lojtarët kanë paralajmëruar bojkot.

Për këtë është i vetëdijshëm edhe trajneri Rexhep Murseli, i cili është i pafuqishëm të ndërmarrë diçka në këtë aspekt. Megjithatë, trajneri ferizajas shpreson të zgjidhet sa më shpejt kjo çështje, pasi kohë më nuk ka dhe stinori pranveror po troket.

“Futbollistët janë revoltuar të hënën, pasi klubi ua ka një rrogë borxh. Por, kryesia nuk është funksionale, janë vetëm drejtori sportiv dhe sekretari. Nuk e di se si do të zgjidhet kjo punë”, deklaroi fillimisht trajneri i Ferizajt për “Zërin”.

telegrafi sport app