Dorëzohet sërish kërkesa në Ministrinë e Drejtësisë që provimet profesionle të jepen edhe në gjuhën shqipe

Edhe Kuvendi studentor i Universitetit “Nënë Tereza” ka dorëzuar një kërkesë të re në Ministrinë e Drejtësisë, përmes së cilës kërkon që studentëve shqiptarë t’u mundësohet dhënia e provimeve profesionale edhe në gjuhën shqipe. Kryetari i Kuvendit Studentor, Besar Sejdi, tha se kur u zëvendësua ministri kanë pritur se do t’i ftojë në takim, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje vetëm heshtje.
“2 vite e gjysmë, dhjetëra kërkesa, 2 protesta të zhvilluara, zëvendësim i ministrave dhe përsëri sot gjendemi në të njëjtën situatë para ministrisë së drejtësisë po e bëjmë të njëjtën kërkesë që të zbatohet Kushtetuta dhe ligji dhe studentëve shqiptarë t’u lejohet provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Kërkojmë nga ministri të njëjtën kërkesë që kemi pasur këto dy vite e gjysmë ta zbatojë kushtetutën, ta zbatojë ligjin për përdorimin e gjuhëve”, theksoi Besar Sejdi, kryetar i Kuvendit Studentor në UNT.
Studenti i juridikut, Jon Selimi, tha se nuk e përjashtojnë mundësinë sërish të dalin në protestë.
“Nuk është çudi që të bëjmë përsëri protestë. Një ministër e larguam nuk e kemi problem ta largojmë edhe tjetrin. Njëherë do të presim përgjigje të shohim çfarë hapa do të ndërmarrin dhe do të shohim pastaj mund të organizohemi të bëjmë përsëri protesta”, pohoi Jon Selimi, student.
Më 7 gusht edhe një nga nismëtarët e procesit, Mevlan Ademi, bashkë me Kryetarin e Parlamentit Studentor të UEJL-së, Besjan Rexhepi, ridorëzuam kërkesën që provimet profesionale studentët shqiptarë të mund t’i japin edhe në gjuhën amëtare. Siç thanë, “studentët shqiptarë nuk duhet të diskriminohen, por duhet të kenë mundësi të barabarta për t’u arsimuar, për t’u certifikuar dhe për të ushtruar profesionin e tyre në vendin e vet”.
Për këto kërkesa të ridorëzuara nga studentët, TV21 u përpoq të marrë qëndrim nga ministri i drejtësisë, Jeton Shasivari, por pa sukses. /TV21/







































