Zëdhënësja e Pentagonit, Dana White, deklaroi se do të largohet nga pozicioni i saj në administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, një vit e gjysmë pasi mori rolin në Pentagon.

“E çmoj mundësinë që mu ofrua nga kjo administratë, të shërbej bashkë me Sekretarin (e Mbrojtjes), pjesëtarët e shërbimit dhe të gjithë stafin civil. Ishte një nder dhe privilegj”, shkroi White në Twitter.

Largimi i saj është i fundit në një sërë dorëheqjesh të personave të profilit të lartë nga administrata Trump, përcjell javanews.al.

Më herët gjatë dhjetorit, Mattis njoftoi për dorëheqjen e tij, si rezultat i vendimit të Trumpit për të tërhequr trupat amerikane nga Siria.

Një ditë më vonë, dorëheqje dha edhe Brett McGurk, i dërguari i posaçëm amerikan për koalicionin global anti-DEASH.

Gjatë kohës sa ishte në Pentagon, White ishte herë pas here burim polemikash, për çka një herë u hetua për akuzat se kishte përdorur stafin për të kryer punë personale.

Arsyet për largimin e saj mbeten të paqarta, megjithatë Pentagoni njoftoi se Charles Summers Jr do të marrë rolin e saj.