LAJMI I FUNDIT:

Dokumentari në frymën e Kiarostamit, për hendekun mes të pasurve dhe të varfërve në Iran

Dokumentari në frymën e Kiarostamit, për hendekun mes të pasurve dhe të varfërve në Iran
Pamje nga dokumentari, “Detyra e sotme e shtëpisë” (foto: Publicity image)

Pabarazia shfaqet në një seri intervistash me nxënës të shkollave fillore, në një dokument që të prek në zemër e që i bën jehonë dokumentarit “Detyrë shtëpie” të Abbas Kiarostamit, shkruan Cath Clarke për “The Guardian”, transmeton Telegrafi.

Një djali çapkën, shtatë ose tetë vjeç, i shtrohet pyetja se çfarë dëshiron. “Një biçikletë të madhe dhe një balonë që nuk shpërthen kurrë!”, përgjigjet me buzëqeshje të madhe, thuajse guduliset me përgjigjen që dha. Një tjetër djalë rreth të njëjtës moshë, i veshur më keq e më serioz, pyetet se çfarë është jeta. E kafshon buzën e poshtme: “Jeta është diçka e mbushur me vështirësi”. Ky dokumentar goxha zemërthyes dhe i dhimbshëm, i realizuar nga Ashkan Nejati dhe Mehran Nematollahi, e ka një premisë të thjeshtë: intervistimin para kamere të nxënësve iranianë, me pyetjet për jetën, për shkollën, për detyrat e shtëpisë dhe për shpresat për të ardhmen.

Është si vazhdimësi e dokumentarit të vitit 1989, “Detyra e shtëpisë”, i realizuar nga nuni i kinemasë moderne iraniane, Abbas Kiarostami, i cili ia shtron të njëjtat pyetje fëmijëve që rriten nën hijen e luftës Iran-Irak. Filmi i ri përmban shumë momente ku fëmijët thonë gjërat më qesharake. Një djalë pyetet se cilat vende do të donte t’i vizitonte? “Evropa, Amerika … Neptuni!” Dhe, ka disa komente për sistemin arsimor iranian.

Por, ajo që ngulitet në mendje është fotografia shkatërruese e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve. Një nga fëmijët e pasur, një djalë i qetë e me fytyrë të rrumbullakët, mburret se sa i pasur është babai i tij dhe se sa makina i kanë. Intervistuesi e teston: a e di çfarë është pasuria? “Po, dikush që ka shumë para, si babai im.” A e di çka është varfëria? “Jo.”

Nëse e shikon ndonjëherë këtë dokumentar, “Detyra e sotme e shtëpisë”, do ta kuptojë.

Ju mund t’i dalloni menjëherë fëmijët e varfër, jo vetëm nga pulovrat e tyre të zbehur, të larë shumë herë dhe nga prerjet e flokëve shkel e shko në shtëpi. Është gjuha e tendosur e trupit dhe fytyrat serioze të pjekura para kohe – një kujtesë se për ta nuk ka kohë për budallallëqe apo lojëra. Kujdestarja e këtyre djemve shpjegon se në vitet kalendarike ata janë tetë deri në dhjetë vjeç, por nga ana e pjekurisë janë më shumë si 17 ose 18 vjeç. Shumica punojnë pasditeve dhe mbrëmjeve, duke shitur mallra në rrugë ose në autobusë. Një djalë shpjegon se si e djeg gazetën dhe se si e fërkon blozën në fytyrë për t’u dukur më i ndotur e më i dhimbshëm. Një tjetër e paguan qiranë dhe ushqimin e familjes së vet. “Nuk blej lodra. Kur duhet ta mbushësh barkun, nuk blen lodra.”

Nuk është pamje e lehtë, por këta fëmijë janë goxha të padukshëm edhe pa i mbyllur bota sytë. /Telegrafi/