LAJMI I FUNDIT:

Dobrica Qosiqi për Kosovën

Dobrica Qosiqi për Kosovën

Disa shënime të përkthyera në shqip nga libri i akademikut shovinist serb, Dobrica Qosiq, me titull, Kosovo, botues, Novosti, Beograd 2004 (Analogji me pikëpamjet e sotme serbe)

1. Më 26 prill 1981


“Në qoftë se nuk jemi të gatshëm që sërish ta çlirojmë Kosovën, e nuk jemi, duhet ta ndajmë me Shqipërinë. Të merren pjesët serbe dhe manastiret, kurse shqiptarëve t’u lihet ajo që është shqiptare. Ndryshe, do të hyjmë në luftë të përhershme me shqiptarët, të cilën nuk mund ta fitojmë. Në luftëra të tilla gjithmonë ngadhënjejnë ata që luftojnë për lirinë e vet, edhe kur janë më pak dhe më të dobët.

Nuk e kuptoj përse udhëheqja e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe Serbisë e emërtoi ideologjikisht si kundërrevolucion lëvizjen nacionaliste-separatiste të shqiptarëve. Harruan pasardhësit e Titos që PKJ, deri në kryengritje dhe në okupimin Italian të Kosovës dhe Metohisë, këtë territor e konsideronte shqiptar. Kurse tashti u bëhet kundërrevolucion ajo energji e cila qysh nga 1924, e sidomos pas vitit 1928, sipas ideologjisë së Kominternit, konsiderohej ideologji revolucionare.

E kuptoj përse Mojsov dhe shokët kryengritjen shqiptare e shpallën kundërrevolucion: Tito dhe Partia Komuniste, pas mbledhjes së dytë të AVNOJ-it, u bënë të ditur popujve të Jugosllavisë dhe gjithë botës që në Jugosllavi në mënyrë ideale ishte zgjidhur çështja, që ky ishte vend i vëllazërim-bashkimit. Vërtet është vështirë të pranohet që në Jugosllavi nuk është zgjidhur çështja kombëtare e shqiptarëve, për më tepër fill pas vdekjes së Titos…” (f 30-31)

Shqiptarët aspirojnë bashkimin kombëtar, atë që me shekuj në botë dhe në Evropë është konsideruar qëllim demokratik dhe i natyrshëm, dmth. e drejta e bashkimit me amën e vet, bashkimin në një shtet të vetin shqiptar.

2. Më 20 maj 1991

Serbët duhet sa më parë të vejnë kufijtë me shqiptarët….nuk ka zgjidhje të të drejtave të njeriut në Kosovë e Metohi, derisa shqiptarët të mos bashkohen në një shtet. Dhe përderisa të ekzistojë e pazgjidhur “të drejtat e njeriut të shqiptarëve në Kosovë e Metohi, për Evropën dhe botën Serbia nuk do të jetë shtet demokratik. ( f.70)

3. Më 21 janar 1992

Qosiq i paraqet Cimermanit (ambasadorit amerikan në Beograd) idenë e ndarjes së Kosovës dhe vënien e kufijve të përhershëm me Shqipërinë. Cimerman gjoja e pyet atë nëse serbët pajtohen me 1/3 e Kosovës, kurse ky thotë: po pranojmë. Por Milosheviq e kishte refuzuar kategorikisht këtë ide, duke thënë se ajo duhet bërë në kushte më të volitshme për serbët dhe me Shqipërinë e jo me Rugovën. (f. 72)

Zgjidhja e karakterit paqësor të çështjes së Kosovës, presupozon ndarjen. Kaq mund të bëhet në kushtet aktuale ndërkombëtare.

4. Më 1 janar 1996

Kosova është në rendin e ditës të historisë. Po e humbim Kosovën. Por kjo nuk do të jetë fatkeqësi kombëtare. Do të çlirohet Serbia nga ky kancer. Sa më parë aq më mirë. ( f. 83)

5. Më 16 janar 1999

Qosiq paraqet konceptin e kompromisit të të drejtave historike dhe etnike, i cili nënkupton ndarjen territoriale dhe mospranimin e kufijve aktualë të Kosovës e Metohisë, denacionalizimin e pasurive të manastireve, formimin e enklavave serbe me të drejta sovrane, ngjashëm me Andorën, San Marinon, Lihtenshtajnin, Vatikanin, në të cilat do të ruheshin monumentet fetare dhe kulturore të krishtera, kurse do të mundësohej bashkimi i popullit shqiptar dhe realizimi i qëllimit të tij historik, formimi i shtetit kombëtar. Dhe çfarë është më e rëndësishmja, me këtë ndarje territoriale konflikti shqiptaro-serb, zgjidhet përhershëm, konsolidohet Ballkani, largohet diplomacia amerikane e botërore dhe NATO nga kjo pjesë e Evropës. ( f. 100)

Debolshevizimi i Kosovës ka dy përmbajtje të rëndësishme: mosnjohja e kufijve aktualë dhe kthimi i pronave të nacionalizuara.

6. Më 5 mars 1999 (takim me këshilltarin politik të Ambasadës amerikane në Beograd, z. Hill)

Qosiq flet për pasurinë e shenjtë, e cila me debolshevizimin e Kosovës e Metohisë duhet kthyer kishës, për serbët e dëbuar dhe kapitalin e investuar prej 20 miliardë dollarësh, të cilin Serbia e kishte futur në industrializimin dhe infrastrukturën e Kosovës. Kam folur për paqëndrueshmërinë e kufijve aktualë të krahinës, me të cilët aneksohen regjione autoktone serbe, Kolashini i Ibrit, Zubin Potok, Leposaviq, Mokra Gora, Lugina e Kopaonikut, Anamorava e Gjilanit. ( f.108)

7. Më 15 maj 1999

Në Kosovë e Metohi, rreth manastireve të mëdha dhe enklavave etnike serbe, duhet formuar shtete të vogla të pavarura, si San Marino, Andora, Vatikani, Lihtenshtajni dhe ngjashëm me bashkësitë e pavarura shtetërore-juridike në Evropë, çfarë është Alanda në Finlandë.

Pjesët serbe në veri të Kosovës, duhet bashkuar Serbisë, të cilat i përkisnin asaj që nga çlirimi nga Turqia deri më 1878, kurse viset jugore të Kosovës dhe një pjesë e Metohisë, ku jetojnë shumicë shqiptare, t’i bashkëngjitet Shqipërisë ose shtetit të pavarur shqiptar, nëse kështu duan shqiptarët kosovarë.

Prishtina, në të cilën jetojnë të përzier shqiptarët dhe serbët, mund të rregullohet si distrikt, ose me një modalitet të ngjashëm. Duhet drejt të ndahet edhe potenciali industrial dhe energjetik, pa marrë parasysh përbërjen etnike të rrethinës. (f.133)

8. Më 15 maj 1999 (vazhdim)

Ndarja e Kosovës e Metohisë mund të bëhet me vënie kufijsh dhe formim të subjekteve të vogla shtetërore-juridike rreth manastireve më të mëdha dhe enklavave serbe, si Monako, Andora, San Marino, Lihtenshtajn, Vatikani, si dhe formimin e autonomive si Alanda në Finlandë. Evropa ka vetëm përvojë pozitive me format e vogla të shtetësisë dhe me demokracinë autonome të tyre. (f. 136)

9. Dhjetor 2002 (Strategjia për Kosovën dhe Metohinë)

Ajo që kërkojmë ne në Kornizën e re kushtetuese është:

Konstituimi i bashkësisë serbe në rendin e Kosovës e Metohisë. Ky konstituim do të duket si një lloj federalizmi të Kosovës e Metohisë, duke njohur entitetin serb, si faktor politik, i cili ka institucionet e veta, nëpërmjet të cilave realizon interesat e veta. Sipas këtij koncepti, sistemi politik i Kosovës e Metohisë do të bazohej në bashkëpunimin e entitetit shqiptar me atë serb, ashtu që secili entitet interesat e veta do t’i sendërtonte nëpërmjet të institucioneve të veta, kompatibile mesveti. Interesat e përbashkëta do të realizoheshin nëpërmjet të organeve të përbashkëta (ngjashëm me Federatën e Bosnjës e Hercegovinës). Në konceptin e ri duhet vënë të drejtën e Serbisë për marrëdhënie të rregullat me entitetin serb si dhe mekanizmat efikas të mbrojtjes së monumenteve kulturore dhe fetare.

Gjithashtu, ajo pjesë e legjislacionit që automatikisht e mundëson entitetin shqiptar, duhet të jetë në pajtim më standardet e BE. Kosovën e Metohinë e tillë, të federalizuar, Serbia do ta pranonte me një formë lidhjeje asimetrike (më shumë se krahinë, më pak se republikë)….

Në qoftë se Kosova e Metohia shkon në drejtim të pavarësisë dhe nëse ne atë nuk mund ta evitojmë, duhet të kërkojmë a) Ndarjen territoriale, b) Garanci efikase ndërkombëtare për serbët që mbeten në pjesën shqiptare, c) Status special për objektet fetare. Ndërkohë, duhet intensivisht të punohet në konceptin e vetadministrimit lokal në Kosovë e Metohi. Mbasi ky koncept është pranuar nga organizatat ndërkombëtare, duhet shfrytëzuar për formimin e rrjetit të strukturave lokale serbe (ekzekutivet lokale, lidhja e bashkësive lokale dhe fshatrave etj.) ( f.197-198)

10. Më 21 korrik 2004

Serbët duhet Perëndimit dhe Lindjes t’ua thonë kërkesat e veta definitive jetësore, afatet e përmbushjes së tyre dhe nëse nuk realizohen ato kërkesa, të braktisin çdo bashkëpunim me qeverinë e Prishtinës dhe me të gjitha mjetet t’i mbrojnë hapësirat e veta jetësore: në veri të Ibrit, Mitrovicën e vet, Kolashinin e Ibrit, Leposaviqin, Zveçanin, Kopaonikun dhe gjithë territoret etnike në Anamoravën e Kosovës. Të merret qëndrim i vendosur: kërkohet përgjigje për planin serb “Plani i Autonomisë” dhe nëse nuk merret përgjigje pozitive, e nuk do të merret, duhet të refuzohet pjesëmarrja në zgjedhje dhe çdo bashkëpunim me UNMIK. Me këtë aksion politik, qeveria e Serbisë, duhet ta fillojë luftën për të drejtat serbe dhe zgjidhjen definitive të ‘statusit të Kosovës’; gjegjësisht, për vënien e kufijve me shqiptarët dhe sigurimin vlerave serbe të kulturës dhe të religjionit

Politikë të tillë Perëndimi udhëheq qëkur shqiptarët marksizëm-leninizmin sovjetik dhe kinez e zëvendësuan me ideologjinë amerikane të të drejtave të njeriut në vitet tetëdhjetë. Perëndimi i ka mbështetur kryengritjet secesioniste të viteve 1981, 1989 dhe 1999, e ka armatosur UÇK, e ka pamundësuar Milosheviqin ta shuante dhunën dhe kryengritjen shqiptare. (f. 240)

11. Më 14 shtator 2004 (Propozim për koekzistencë jete të popullit shqiptar dhe serb)

Qosiq paraqet katër variante të zgjidhjes së statusit të Kosovës:

Kosova e pavarur (shqiptarët), Kosova autonome në Serbi me autonomi serbe në Kosovë (serbët), Kosova entitet më vete në konfederatën serbe e malazeze (BE), Ndarja e Kosovës (e Qosiqit).