LAJMI I FUNDIT:

“Djajtë e Kombëtares” dolën nga shishja

“Djajtë e Kombëtares” dolën nga shishja

Behar Gjoka

Pa u shuar mirë boja e firmës historike që nënshkroi Kombëtarja Shqiptare në “Francë 2016”, e përbërë nga djemtë e talentuar të Shqipërisë dhe të Kosovës, nisi sherrnaja mes shqiptarëve të të dyja anëve të kufirit. Zemërimi, absurd dhe me tone të ngritura, kësaj radhe erdhi prej futbollit. Pra, lufta me fjalë, me sharje e mallkime, bëhet për sportin më popullor, që na bashkoi shpirtërisht dhe na dha pikë dinjiteti në sytë e botës. Mjaftoi kalimi i disa futbollistëve, si Rashica, Meha etj., me ekipin kombëtar të Kosovës, që shejtanët e marrëzisë të dilnin nga shishja.


Histeria e gjoja urrejtjes së madhe në mes shqiptarëve shpërtheu sheshit. Dhe, të mos hyjmë në analizën se përse këta futbollistë e të tjerë nuk u morën në finalet e Kampionatit Evropian; kjo i takon trajnerit të Kombëtares, qoftë edhe të gabojë në përzgjedhjen e lojtarëve. Po kaq, nuk vlen as të merresh me historinë e Federatës Shqiptare të Futbollit, që të ngjan me një atavizëm të së kaluarës, ku mbizotëron fasada dhe nuk ke shans të kuptosh filozofinë e forcimit të Kombëtares. Etiketimi i këtyre futbollistëve si tradhtarë, e kapërcen lojën e futbollit dhe sensin e masës.

E para, jemi në sport, jemi në futboll, ku metri i tradhtisë nuk hyn në punë, sepse vështruar me këtë kut, vetë Kampionati Botëror dhe Evropian, për shkak të përfshirjes në kombëtaren e çdo vendi, të shumë lojtarëve që nuk u përkasin vendeve që përfaqësojnë, do të ishte me kleçka në biografi. Futbolli, në këto momente, është loja më e bukur dhe më popullore. Më tepër se nga tradhtia, ai vuan nga bastet dhe korrupsioni i shumëformshëm.

E dyta, futbollistët që po përfshihen në ekipin kombëtar të Kosovës, ata që përfaqësojnë Zvicrën, një pjesë e madhe e futbollistëve që e çuan Shqipërinë në finalet e Kampionatit Evropian, i përkasin shkollës evropiane të futbollit, vendeve ku janë zbuluar si talente, kujdesit të familjes dhe punës individuale. E thënë më qartë, nuk është se Shqipëria ka investuar për ta

E treta, futbolli është magji që në thelbin e vet nuk ka të bëjë me kombin, me racat, me patriotizmin vulgar; është thjesht një lojë që ka pushtuar zemrat e tifozëve. Të flasin tifozët, sportdashësit, edhe ka kuptim, por dalja në logun e betejës, e nxitësve dhe shtirakëve, që fusin spica në mes shqiptarëve, tregon për një mllef të grumbulluar dhe shfrytëzim të futbollit për të thelluar distancën e 100 viteve pushtim nga serbët.

E katërta, prania e shumë futbollistëve me origjinë shqiptare, sidomos në kampionatet e fundit botërore dhe evropiane, ka rritur dinjitetin e kombit, por është edhe tregues i aftësive të shqiptarëve. Prania e dy kombëtareve, më tepër se problem i futbollit, i përket realitetit politik. Shqipëria dhe Kosova, ndonëse të banuara nga shqiptarë, janë dy shtete të pavarura. Madje, formalisht dhe ligjërisht, kanë simbole të ndryshme, një kompromis që na e sugjeruan të tjerët dhe që ne e pranuam, por edhe e festuam.

Besoj ju kujtohet rasti i Gjermanisë së ndarë. Kishte dy shtete gjermane, por edhe dy kombëtare, që emërtoheshin perëndimore dhe lindore, ose federale dhe demokratike. Situata ligjore është e njëjtë. Shembja e Murit të Berlinit, e murit politik, vetiu solli një kombëtare. Pra, kuptohet se dy kombëtaret shqiptare kanë të bëjnë me realitetin politik të tanishëm, ekzistencën e dy shteteve shqiptare. Ndryshimi i kësaj situate mundësohet vetëm nga bashkimi kombëtar, gjë që realisht dhe ligjërisht të shpie në një kombëtare të vetme. A jemi për bashkimin kombëtar, i cili do të sillte një kombëtare?

Populli i të dyja anëve të kufirit, me ndonjë ndryshim të vogël, e ka thënë me kohë fjalën e vet. Është një aspiratë që dikur do të realizohet. Politika zyrtare e të dyja shteteve shqiptare mendon se Bashkim Evropian mundëson bashkimin kombëtar. Kësaj i thonë, hane-shane, hane-Bagdad. Një kombëtare në realitetin politik ku gjendemi, është jo pak e vështirë të realizohet, për më tepër që nuk është thjesht dhe vetëm çështje e futbollit, madje ka vështirësi serioze në gjetjen e zgjidhjes ndërmjet dy federatave. Një kombëtare, para së gjithash, është problem politik.

A jemi gati, a zotërojmë fuqinë, a është çasti për ta bërë realitet ëndrrën e shqiptarëve për bashkim kombëtar? Këto pyetje, më tepër se retorike, ngërthejnë përgjegjësinë për të marrë përsipër fatin e kombit. Pas kësaj le të flasim për Kombëtaren e futbollit dhe për secilin sport. Kombëtarja shqiptare, e përbërë nga talente të Kosovës dhe të Shqipërisë, të djemve të emigruar, në eliminatoret dhe në finalet e Kampionatit Evropian tregoi se shqiptarët e të dyja anëve të kufirit nuk janë aq larg sa kishin shpresuar dashakëqijtë e kombit shqiptar.

Kombëtarja e Kosovës nuk duhet të jetë shkak për t’u kthyer në mollë sherri; as për të zmadhuar dasitë që erdhën nga copëtimi i trojeve tona, sikur kemi dy kombe, për të nxjerrë nga shishet djajtë e konfliktit, duke u dhënë shkas djajve të Moskovit dhe të Beogradit, që të fërkojnë duart nga dalldia e përçarjes.

Fati i kombit shqiptar, pavarësisht ndarjes në disa shtete, pavarësisht se kufijtë shtetërorë ndajnë shqiptarët, është vetëm një. Fati është në udhën historike, në shtratin e përbashkët kulturor të gjuhës dhe të letërsisë, që përgatiti Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Bashkimi kombëtar e sjell një Kombëtare. Ama, Kombëtarja shqiptare shkriu jo pak akuj të paragjykimeve ndërmjet dy hapësirave të trojeve tona.