LAJMI I FUNDIT:

Disa mendime për raportet shtet-fe

Disa mendime për raportet shtet-fe

E vlen të diskutohet për këtë problem, edhe pse konsiderohet tashmë i zgjidhur me Kushtetutë dhe me Ligj. E vlen sepse rregullimi faktik dhe tërësor i funksionimit të këtij raporti vazhdon të ndesh në vështirësi që sjellin ankesa nga të dy palët. Ankohen komunitetet fetare dhe besimtarë të feve të ndryshme për shtetin, i cili sipas tyre, nuk respekton ligjin demokratik, për të drejtat e lirisë së besimit dhe të fesë.

Ankesat e tyre përballen me shtetin dhe institucionet e tij përkatëse, të cilat iu kundërvihen me ekzistencën, kuptimin dhe hapësirën e lejueshme nga ligji në një shtet demokratik. Komunitetet fetare dhe besimtarët përkatës ankohen për rolin e shtetit në mbrojtje dhe në mirëmbajtje të objekteve të kultit, të xhamive, teqeve dhe kishave. Dikush ankohet që lejohet ekspozimi në përmasa dhe domini hapësinor i simboleve fetare mbi një trevë me popullatë me besim fetar të ndryshëm (ngritja në majë të një kodre e një kryqi dominues në një zonë me shumicë banorësh të besimit mysliman). Kthehen në shqetësim të opinionit shoqëror amplifikimi i tingëllimit të kambanës, si dhe i thirrjes së hoxhës nga xhamia në orët e para të mëngjesit.


Opinioni qytetar reagon për të shfaqur mospëlqimin për këto dukuri kryesisht në biseda kafenesh. Ndërkohë që edhe debatet në media apo ato mes një komuniteti fetar dhe shtetit, lidhur me pranimin në shkolla publike të vajzave me shami, vazhdojnë të mbeten pa zgjidhje. Një dukuri që është shfaqur para mëse 10 vjetësh në Republikën e Shqipërisë dhe ende nuk ka gjetur zgjidhje as aty. Pra, për sa kohë nuk kam një referencë praktike apo ligjore edhe nga shtete të tjera, po guxoj të bëj një sugjerim, jo vetëm për “shamitë” e vajzave të besimit mysliman, por për shfaqjen publike dhe propagandimin e gjithë simbolikës fetare në një shtet demokratik.

Republika e Kosovës është shtet demokratik. Demokracia si shtet, që u mishërua si produkt i Revolucionit Francez, e ndau shtetin nga feja. Shteti u deklarua “laik”, pra u shpall pushtet shtetëror, jo në emër dhe në miratim të Zotit (teokratik), por të popullit (laik). Mëse 200 vjet më parë janë vendosur kufijtë ligjor dhe disi më vonë edhe realë e të zbatueshëm në mes të pushtetit në emër të popullit dhe atij në emër të Zotit. Kosova është shtet i krijuar me ndihmën dhe kontributin e drejtpërdrejt të demokracive më të mëdha botërore, ndaj ka për “model historik” përvojën dhe aktualitetin praktik e ligjor të tyre.

Nuk pretendohet dhe nuk pritet prej nesh të gjendet zgjidhje për rregullin e raporteve shtet-fe. Nga ne pritet e kërkohet përvetësimi dhe aplikimi i përvojës së njohur të rregullimit të sjelljes shtetërore në përdorimin në publik të simboleve fetare, në një popullatë si e jona, që ka besime të ndryshme fetare. Pas parashtrimit të mësipërm po kthehem te arsyeja që më nxiti për këtë shkrim; te pranimi apo përjashtimi nga shkollat të vajzave që vendosin shami. Nuk mund të përgjigjem me “po” ose me “jo”, ndaj do përpiqem të mbështes arsyeshëm dhe ligjërisht një sugjerim.

Ligji sanksionon dhe garanton lirinë e ndërgjegjes dhe të praktikimit të besimit fetar. Ai nuk kufizon dhe nuk ndalon shfaqjen e simbolikës fetare nëpër rrugët urbane dhe rurale, madje as në institucionet shtetërore të njerëzve me varëse domethënëse fetare, me mjekra, pantallona treçerekëshe, me ferexhe, apo me veshje e shami koke, sikurse nuk vë asnjë pengesë për “motrat” e besimit katolik, ortodoks apo ithtaret e Nënë Terezës. Kështu ngjan disi i “papërligjur” reagimi mediatik, me jehonë edhe në opinionin qytetar për shaminë e grave myslimane në shkollat publike (kemi shkolla legale fetare, ku nuk ndalohet nga shteti një gjë e tillë).

Shamia si simbol fetar, nuk mund të shmanget dhe ca më pak të “penalizohet” me përjashtim nga shkolla të vajzave që e mbajnë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë ligj në një shtet, që pretendon dhe aspiron të ndërtojë dhe konsolidojë demokracinë, që të pengojë e të dënojë manifestimin publik të përkatësisë fetare. Lejimi apo moslejimi i mbajtjes së shamisë nga vajzat e besimit islam nuk zgjidhet dhe nuk duhet të zgjidhet me ligj apo represion shtetëror në një shtet laik. Natyrshëm shtrohet pyetja: Si mund të zgjidhet ky konflikt mes lirisë së besimit të garantuar nga Kushtetuta dhe reagimit ligjor të shkollës, institucionit themelor të arsimit.

Me ligj nuk mund të rregullohet, sepse ai nuk ka as të drejtë t’i bjerë ndesh Kushtetutës. Atëherë? Institucionet shtetërore krijohen, organizohen dhe funksionojnë mbi ligjin. Por, çdo institucion shtetëror shfaqet në funksionimin ndaj qytetarëve me tiparet dhe elementët rregullues së individualitetit të vet. Mendoj se edhe institucioni i shkollës mund dhe duhet të vetërregullohet. Pra, atë që nuk mund ta zgjidhë shteti me ligj, mund dhe duhet ta zgjidhë shkolla si institucion dhe çdo shkollë veçmas përmes hartimit dhe miratimit të rregullores, që trajton gjithë elementët funksionalë të saj gjatë gjithë ciklit, nga pranimi deri në rastet e largimit të nxënësve nga shkolla.

Në trend

Më shumë
Tuchel i pamëshirshëm me yllin e Bayernit: Bëri dy gabime në dy golat e pranuar

Tuchel i pamëshirshëm me yllin e Bayernit: Bëri dy gabime në dy golat e pranuar

Bundesliga
Shtetasi turk iu vërsul me thikë policëve izraelitë në Jerusalem, qëllohet për vdekje – publikohen pamjet e momentit rrëqethës

Shtetasi turk iu vërsul me thikë policëve izraelitë në Jerusalem, qëllohet për vdekje – publikohen pamjet e momentit rrëqethës

Azia
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Tifozët kanë mbetur të shokuar me pritjen që iu bë Toni Kroosit në ‘Allianz Arena’

Tifozët kanë mbetur të shokuar me pritjen që iu bë Toni Kroosit në ‘Allianz Arena’

Liga e Kampionëve
Harry Kane i përgjigjet incidentit të penalltisë me Jude Bellingham me një përgjigje të qartë

Harry Kane i përgjigjet incidentit të penalltisë me Jude Bellingham me një përgjigje të qartë

Liga e Kampionëve
Moment emocionues - Kiara Tito sjell një foto të Luizit duke mbajtur në krah vajzën e tyre të porsalindur

Moment emocionues - Kiara Tito sjell një foto të Luizit duke mbajtur në krah vajzën e tyre të porsalindur

Magazina
Kalo në kategori