LAJMI I FUNDIT:

Diploma e dytë për një vend pune në Kosovë

Diploma e dytë për një vend pune në Kosovë

Gjetja e një vendi pune është bërë një nga sfidat më të mëdha për Fatlum Kryeziun nga Prizreni, i diplomuar në Fakultetin Filozofik, drejtimi Sociologji në Universitetin e Prishtinës.

Fatlumi, 26 vjeç, nga komuniteti rom në Kosovë, është në kërkim të një vendi pune që prej korrikut të vitit të kaluar, kur edhe kishte diplomuar. Deri më tani nuk arriti të punësohet.

Fatlumi jeton në një familje pesë anëtarëshe në Prizren me prindërit dhe motrat e tij dhe punësimi i tij, thotë ai, është shumë i nevojshëm për të përmirësuar standardin jetësor të familjes.

“Aktualisht jam duke studiuar edhe në Fakultetin e Infermierisë në AAB, për të arritur ndoshta më lehtë te punësimi”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Fatlumit, problemi i punësimit nuk qëndron te shkollimi.

Përveç, nepotizmit dhe konkurseve të cilat iu përshtaten një kandidati të caktuar për një pozitë që hapet në institucionet publike, Fatlumi shton se komuniteti rom në punësim është i paragjykuar dhe i diskriminuar.

“Si komunitet kemi qenë të paragjykuar se nuk dimë të bëjmë punë profesionale, vetëm se mund të dalim te semaforët të pastrojmë xhama të veturave ose për të mbledhur kanaçe. Është thënë se kemi mungesë të kuadrove, por kjo nuk është e vërtetë. Një pjesë e madhe e njerëzve tanë janë të shkolluar dhe mund të jenë të suksesshëm në punën e tyre, por për shkak të paragjykimeve dhe diskriminimit që bëhet për komunitetin rom, ata nuk arrijnë të punësohen”, thotë ai.

Ky diskriminim në punësim i komunitetit rom, sipas Fatlumit, ndodh në institucionet publike të Kosovës, pavarësisht ligjeve e Kushtetutës së Kosovës që mbrojnë të drejtat e secilit pjesëtarë të komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas (RAE), njihen zyrtarisht si komunitete të veçanta në Kosovë dhe sipas Kushtetutës gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.

Sipas regjistrimit të popullsisë të bërë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë deri në 40 mijë qytetarë të këtyre komuniteteve.

Kuotë për punësimin e komuniteteve

Në kuadër të shërbimit civil në institucionet e nivelit qendror, sipas Ligjit për shërbimin civil, që është miratuar më 2010, minimum 10 për qind e posteve, duhet të rezervohen për personat të cilët u përkasin komuniteteve të cilët nuk janë shumicë në Kosovë dhe që përmbushin kriteret specifike të punësimit.

Kritika për punësimin në bazë të kësaj kuote të përcaktuar me ligj ka Bekim Sylaj nga Qendra Dokumentuese për Rom, Ashkali dhe Egjiptas.

“Sikur të zbatohet kuota e punësimit në nivel lokal dhe qendror, atëherë situata do të ishte më ndryshe, por edhe kuota keqpërdoret. Kur flasim për komunitetet, çdo herë qeveria mendon për komunitetin serb dhe të gjitha këto vende pune i merr komuniteti serb”, thotë Syla.

Përqindje e lartë e papunësisë

Kosova në përgjithësi ka nivel të lartë të papunësisë.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nivel i papunësisë arrin deri në 30 për qind. Këto të dhëna nuk bëjnë ndarje të papunësisë te komunitetet.

Ndërkaq, sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e Zyrës për çështje të komuniteteve në kuadër të Zyrës së kryeministrit të Kosovës, norma e papunësisë te komunitetet vlerësohet ndërmjet 90 për qind dhe 100 për qind.

Edhe, sipas të dhënave që tregon Bekim Sylaj nga Qendra Dokumentuese për Rom, Ashkali dhe Egjiptas, deri në 80 për qind e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve, janë të papunë.

Ai thotë se këto komunitete në Kosovës ekzistencën e jetës e sigurojnë duke bërë punë, si mbledhja e kanaçeve e të tjera.

“Pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali, egjiptas nuk e di a janë pesë të punësuar në institucione si Korporata Energjetike e Kosovës, Posta e Kosovës, Aeroporti apo të tjera. Gjithmonë përmendet se keni të punësuar në nivel qendror dhe lokal, por ata janë përfaqësues politikë, në momentin që ndërrohet (qeveria) ata largohen. Ai nuk është punësim i qëndrueshëm”, thotë Sylaj.

Bekim Sylaj dhe Fatlum Kryeziu mendojnë se komuniteti rom, egjiptas dhe ashkali nuk kanë pasur përfaqësim të duhur në Kuvendin e Kosovës, aty ku do të duhej të ngritën shqetësimet e komuniteteve.

Albert Kinolli, nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës që ishte deputet në legjislaturën e fundit të Kuvendit te Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se janë bërë përpjekjet për t’iu ndihmuar këtyre komuniteteve, por që ligjet nuk janë duke u respektuar.

“Në fushën e arsimit në veçanti, te komuniteti rom kemi ngritje të numrit të të rinjve që po shkollohen dhe janë me arsimim të lartë. Ky shkollim i bënë ata të barabartë në tregun e punës, por për fat të keq në Kosovë ende mbizotëron nepotizmi dhe ne po anashkalohemi”, thotë Kinolli.

Të rinjtë romë, ashkalinj dhe egjiptas në Kosovë, sipas një hulumtimi të bëra nga Organizata Ndërkombëtare e Punës thuhet se kanë motivim të pakët për t’u përfshirë ose bashkëpunuar me institucionet publike të punësimit, në veçanti për shkak të diskriminimit, neglizhencës, përjashtimit dhe korrupsionit të perceptuar apo të përjetuar në marrëdhënie me këto institucione.

Përjashtimi, diskriminimi që po i bëhet komuniteteve, thotë Fatlum Kryeziu, paraqet një pasiguri për të ardhmen e tij profesionale në Kosovë.

“Mospunësimi në pozitën për të cilën je shkolluar është një dëshpërim i madh fillimisht për mua dhe për të gjithë ata të rinj të komunitetit rom që e dëgjojnë këtë”, thotë ai. /rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Kronika e Zezë
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori