LAJMI I FUNDIT:

Dilema që i lë kosovarët pa gjumë

Dilema që i lë kosovarët pa gjumë

Kush do të jetë kryetari i ardhshëm i PDK-së?

E di se titulli dhe kjo fjali hyrëse do të bëjë të buzëqeshin shumë lexues, të cilëve nuk u bëhet fare vonë se kush do të jetë në krye të PDK-së, e lëre më t’i lë pa gjumë.


Kush do të jetë, pra, kryetar i PDK-së, partisë e cila asnjëherë nuk ishte partia më e madhe në vend por e cila, realisht, direkt apo indirekt, “institucionalisht apo jashtë-institucionalisht”, qeverisi me Kosovën që nga Qeveria e Përkohshme e pasluftës, e deri më sot? A ekziston kjo dilemë?

Dilema tjetër, e cila na imponohet këtë javë dhe e bën të ketë kuptim titulli i këtij shkrimi është deklarata kategorike e njërit nga dy nënkryetarët e LDK-së, të njohur për afrinë e tij me PDK-në. “Kurrë më nuk do të bëjnë koalicion me PDK”, u shpreh, ai.

Në politikën tonë e kemi parë edhe më herët se “kurrë” në fakt është deklarim dashurie, e kësaj radhe mund të jetë edhe xhelozie. “Ata bënë koalicion me dikë tjetër, prandaj kurrë më”, pak a shumë kështu ka thënë nënkryetari. Është e paimagjinueshme hyrja në koalicion me kryetarin aktual të PDK,-së ishte kategorik nënkryetari i cili përflitet si njëri nga kandidatët më seriozë për të ardhur në krye të LDK-së, vitin e ardhshëm! Po me ndonjë kryetar tjetër, të PDK-së?

Nëse dikur deklaratat e tipit “kurrë me SHIK-un”, dhe të ngjashme, dolën të jenë hyrje në koalicionin e paimagjinueshëm deri atëherë në mes të LDK-së dhe PDK-së, çfarë kuptimi ka deklarata e nënkryetarit të LDK-së se “kurrë më” nuk do të ketë koalicion LDK-PDK? Është përgjigje në ndonjë ofertë jopublike? Është përgjigje pa ofertë fare, për të parandaluar apo nxitur një të tillë në fakt? Apo është thirrje për ndryshime në kreun e PDK-së, nëse dëshirohet një koalicion i tillë, sepse kreu aktual ka bërë koalicion me tjetërkënd?

Kur kihet parasysh se iniciativa e dy presidentëve për korrigjim kufijsh, shumë më herët ishte propozuar zyrtarisht, madje ishte protokoluar nga ana e nënkryetarit të LDK-së, deklaratat e tij fillojnë të marrin kuptim. Kush qëndron prapa kësaj deklarate, është pyetje tjetër? Kreu i LDK-së? Presidenti Thaçi? Apo vetëm nënkryetari i LDK-së i cili po e shtron kështu edhe kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së dhe po kërkon mbështetjen e presidentit?

Kemi qenë, më herët, dëshmitarë në përfshirjen e PDK-së dhe ndikimin e sajë (in)direkt në zgjedhjen e kreut të LDK-së, pas vdekjes së presidentit të saj historik. Për këdo që e njihte pak a shumë skenën dhe prapaskenën në të cilën u zhvillua i ashtuquajturi kuvend i karrigeve, dukeshin qartë duart e PDK-së dhe ndikimi i saj në këtë duel. Dalja nga salla, nën masa të rrepta sigurie, e kryetarit të ri të LDK-së, të përcjellë me kordonin e Policisë speciale, asokohe, dhe rrënimi i imazhit të kësaj partie, konsiderohej fitore e PDK-së, brenda LDK-së, edhe pse kryetari Sejdiu ishte njëri nga njerëzit më të afërt dhe më besnik të presidentit të ndjerë. Shto kësaj edhe lojën e vazhdueshme politike të PDK-së me pasardhësit biologjikë të ish-presidentit Rugova, dhe hapjen e çështjes së kryetarit të LDK-së sa herë numrat dhe idetë e reja në LDK e rrezikojnë pushtetin e PDK-së, atëherë do të shihet qartë mekanizmi i PDK-së për të kontrolluar partinë, lëvizjen e dikurshme masive për pavarësi, e cila përkundër luftës, ku ishte inferiore, pas lufte sërish e dominoi skenën politike.

Pra, ka apo nuk ka dilemë se kush do të jetë kryetari i ri i PDK-së? Dilema ka edhe rreth pasardhësit të kreut aktual të LDK-së dhe në mënyrë paradoksale, epilogu i zgjedhjeve në PDK do të ndikojë në mënyrë vendimtare edhe në atë se kush do të jetë kryetar i ardhshëm i LDK-së, por edhe anasjelltas. Platforma e paralajmëruar e LDK-së për bisedimet Kosovë-Serbi na tregon se në këtë parti janë më se të vetëdijshëm për këtë.

Mosmarrëveshjet në mes të presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, lidhur me iniciativën për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, nxorën në sipërfaqe edhe mospajtimin e kryetarit aktual të PDK-së, i cili po ashtu është kundër “idesë” së presidentit.

Iniciativa për ndryshimin e kufijve, pra, e dy presidentëve, Vuçiq dhe Thaçi, krijoi qarje të thella në skenën politike. Një ndër to është edhe lufta për karrigen e kryeministrit, por duke marrë parasysh rreshtimin e kryetarit të PDK-së ka shumë gjasë që edhe ulësja e tij po dridhet. Kështu, në procesin e zgjedhjeve brenda partiake në PDK, në mënyrë të mbuluar do të zhvillohet edhe lufta në mes njerëzve të kryetarit të saj aktual dhe atyre të presidentit.

Përgjigjja në dilemën që përflitet në titullin e këtij shkrimi është përgjigje se kah po shkon Kosova. Nga kjo varet edhe fati i koalicionit qeverisës. Po shkon në zgjedhje të reja apo po e nxjerr përfundimisht z. Thaçi nga partia e tij e dikurshme?

Pa hijen e tij, e sidomos pa mekanizmat (jo)formal që ai i kontrollon që nga (pas)lufta, PDK e ka të vështirë të ketë fuqinë e saj të dikurshme për të kontrolluar politikën e këtij vendi. Përpos nëse me koalicionin e ri, kryetari i PDK-së tashmë e ka gjetur alternativën, modelin e ri të qeverisjes pa oligarkët e mbledhur rreth presidentit dhe të cilët me shkuarjen e tyre nga PDK do ta linin atë pa mekanizmat joformal, të interesave dhe fuqisë represive, me të cilët kjo parti diktonte vazhdimisht zhvillimet (jo)politike dhe ekonomike në vend.

Pra, me deklarimet e njerëzve pro presidentit se kryetari i PDK-së është “burrë më i mirë, se Thaçi” por nuk është lider, dhe ato të anës tjetër se “Thaçi ka rrëshqitur në tradhti”, dilema se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i PDK-së duket më reale! Do të hyjë LDK-ja sërish me PDK-në, apo do të qëndrojë partneriteti aktual i cili e mban qeverinë, është dilema që shtrohet me deklarimin kategorik “kurrë më”, të nënkryetarit të LDK-së…