LAJMI I FUNDIT:

Digjitalizimin që (s’e) kemi

Digjitalizimin që (s’e) kemi

Për shtetet si Kosova – që kanë të ardhura të ulëta dhe të mesme – teknologjitë e reja digjitale ofrojnë mundësi të diversifikimit të ekonomive, të krijimit të vendeve të reja të punës, të transformimit të bujqësisë dhe të përmirësimit të sistemit shëndetësor dhe atij arsimor. Kjo do të thotë se ekonomitë më pak të zhvilluara mund të kalojnë në një fazë të zhvillimit teknologjik dhe kështu t’ju afrohen më shpejt ekonomive të vendeve më të zhvilluara.

Vizita që kryeministri Albin Kurti bëri në Silicon Valley në ShBA, duhet të jetë reflektim për situatën tejet komplekse në aspektin e digjitalizimit që kemi në Kosovë. Mund të vizitohen dhe të organizohen takime me top-kompanitë teknologjike, por situata në terren lë shumë për të dëshiruar – duke filluar nga mungesa e një baze të qartë ligjore në fushën e Teknologjisë Informative dhe të Komunikimit (TIK), pakove fiskale e deri tek digjitalizimi i proceseve ekzistuese. (Një pjesë e tyre janë jashtë funksionit, për të mos harruar çështjen e domenit shtetëror, komunikimeve të sigurta, nënshkrimit digjitale etj.)

Sektori i TIK-ut është ndër sektorët më të zhvilluar dhe me të suksesshëm, kjo falë punës së të rinjve dhe përkushtimit të tyre për të ndërtuar partneritete më kompanitë ndërkombëtare. Ky sektor ka ndihmuar edhe në promovimin e Kosovës digjitale dhe të rinisë profesioniste nëpër botë. Kjo mundësi duhet të shfrytëzohet pikërisht nga institucionet tona, për të tërhequr më shumë investitorë në vendin tonë.

Bashkëpunimi i mundshëm më kompanitë si Linkedin, Microsoft, Uber, Aribnb, Netflix etj. është i nevojshëm dhe i domosdoshëm, por janë edhe shumë kompani tjera amerikane që kanë punësuar qindra inxhinierë nga Kosova – qoftë me zyrat në vendin tonë apo me punë nga distanca – të cilat do të duhej të vizitoheshin. (Apo, të zgjerohej ekipi i Qeverisë me kompanitë vendore nga Kosova që eksportojnë shërbime në Amerikë.)

Nuk kemi – nëse mund të themi çështje/probleme më kompanitë e vizituara – andaj po i listoj disa nga shërbimet që marrim nga kompanitë amerikane, si p.sh:

Linkedin liston Kosovën dhe mund të përdoren të gjitha shërbimet e saj, përfshirë edhe gjeolokacionin.

Microsoft është ndër kompanitë e para të mëdha që ka përfaqësuesin e vet në Kosovë.

Platforma Airbnb mundëson të bërit biznes edhe për qytetarët e Kosovës.

Netflix ka të hapur kanalin për abonime nga Kosova.

Uber mund të ftohet për të bërë biznes në Kosovë, por paraprakisht është mirë të analizohen reagimet e shoqatave të taksive – gjërat që kanë ndodhur në vende të ndryshme të botës

Duhet të jemi vetëkritikë se, edhe po të jenë të gatshme këto kompani që të investojnë në Kosovë, ne nuk kemi kapacitete, as teknike, as njerëzore, as infrastrukturore për t’i mbështetur ato. Qartazi, në trendët që jetojmë, kompanitë teknologjike investojnë në vendet ku së paku kapaciteti njerëzor është i gatshëm për tregun e punës, gjë të cilën ne për momentin nuk e kemi dhe mendoj se është e pakuptimtë dhe e pasinqertë që ato të vijnë duke e rekrutuar stafin e trajnuar të kompanive ekzistuese kosovare. Kjo do t’i etablonte me pak investim e do t’i dëmtonte apo do t’i zhdukte kompanitë kosovare që kanë investuar në staf. Sepse, në aspektin financiar të pagave dhe të benefiteve, nuk mund të luftojmë me kompanitë e tilla.

Kompanitë e vizituara duhet të ftohen në Kosovë që së pari të investojnë në trajnimin e të rinjve dhe në përgatitjen e tyre për tregun e punës, ndërsa qeveria në këtë pikë mund të ndihmojë duke ua siguruar hapësirat, infrastrukturën dhe benefitet të tjera – sipas marrëveshjes.

Gjithçka mund të jetë një mundësi e artë për Kosovën, por që ajo mbetet është vetëm mundësi nëse nuk kemi finalizim të ndonjë marrëveshje konkrete, ekipe profesioniste gjatë vizitave, si dhe transparencë më të madhe.

Ekipi qeveritar, para se të nisej për në Silicon Valley është dashur së paku të rifunksionalizonte pajisjet digjitale për nxjerrjen e certifikatave, të shfuqizojë vendimin për prodhimin e kriptovalutave, të caktojë afate për ndërtimin e qendrës në Bërnicë – përfshirë edhe lehtësirat fiskale për TIK-un etj.

Në anën tjetër, është e rëndësishme të theksohet se vizitat tek kompanitë globale duhet të bazohen në strategji ekzistuese e, për fat të keq, strategjia 2016-2022 tashmë ka skaduar dhe një numër i madh i objektivave jo vetëm që nuk janë arritur, por as që nisur puna në to.