LAJMI I FUNDIT:

Dialogu Kosovë-Serbi, gjithçka që u tha pas takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel

Dialogu Kosovë-Serbi, gjithçka që u tha pas takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel

Një ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar në Bruksel, në raundin e ri të dialogut Kosovë-Serbi, por që në këtë takim palët nuk janë pajtuar për asgjë, përveç asaj që në shtator të mbahet takimi i radhës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me presidentin serb në Bruksel ka dalë me një prononcim për media, ku njoftoi se ka propozuar një marrëveshje të paqes që ishte e balancuar, por që nuk u pranua nga Serbia, gjegjësisht nga Vuçiq.


“Propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene të një deklarate të paqes mes Kosovës dhe Serbisë që u refuzua. Marrëveshja u refuzua ende pa u lexuar. Për mua kjo tregon mos gatishmëri për marrëveshje”, ka thënë Kurti.

Marrëveshja e plotë e Kurtit të cilën e prezantoi në Bruksel si deklaratë të paqes midis Kosovës dhe Serbisë
Lexo po ashtu Marrëveshja e plotë e Kurtit të cilën e prezantoi në Bruksel si deklaratë të paqes midis Kosovës dhe Serbisë

Kreu i ekzekutivit të Kosovës theksoi se te pika për të pagjeturit ka insistuar që të futet edhe togfjalëshi “ballafaqimi me të kaluarën”.

“U pranua propozimi nga Borrel, por jo edhe nga Vuçiq i cili nuk pranoi që të diskutohet kjo pikë. Ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm dhe më vjen keq që nuk u pranua nga Serbia që edhe ky togfjalësh të përfshihej. Nuk e kuptoj pse duhet ai të ketë frikë, ballafaqimi për të kaluarën është i domosdoshëm, është për të ardhur keq që nuk e patëm një deklaratë të përbashkët”, tha ndër të tjera Albin Kurti.

Ai ka thënë se Serbia nuk e ka sinqerisht vullnetin për këtë temë pasi sipas tij udhëheqës i delegacionit është Velko Odalloviq.

“Nga viti 1997-1999 ai ka qenë udhëheqës i partisë së Millosheviqit  në Kosovën së okupuar nga  Jugosllavia. Nuk e kuptojë pse duhet të jenë medoemos këta njerëz në dialog. Duhet të bëhet një lloj spastrimi në serbi nga këta njerëz që e kanë okupuar Kosovën dhe kanë marrë pjesë në gjenocidin e vitit 1999”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kurti tha se Odalloviq ka qenë pjesë e okupimit dhe një nga njerëzit e Millosheviqit.

Lidhur me takimin në Bruksel, Kurti ka shkruar edhe në Facebook.

“Në takimin e dytë me delegacionin e Serbisë në Bruksel, sot ofruam një Deklaratë të Paqes me gjashtë nene, të balancuar dhe në gjuhën angleze, e cila flet për zotimin për mossulmim të njëri-tjetrit dhe për reciprocitet të të drejtave. Po ashtu, ofruam edhe dëshmi të 11 shkeljeve që i bën Serbia ndaj Kosovës përmes barrierave kundër tregtisë së lirë e që do të duhej të eliminoheshin. U refuzuan të dyja këto.

Për dallim nga ndërmjetësi Josep Borrell, kryetari i Serbisë nuk i mori tre librat që ia dhashë: rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, listën e 1.133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.

Është për të ardhur keq që nuk arritëm të dalim së paku me një deklaratë të përbashkët nga ky takim. Shkaku ishte që delegacioni serb nuk pranoi futjen në tekst të togfjalëshit “ballafaqimi me të kaluarën”.

Serbia si shtet ka ardhur në mesin e popullsisë shqiptare me gjenocid dhe ka ikur me gjenocid. Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngushtë.

Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për paqe dhe drejtësi, për siguri dhe stabilitet, për demokraci dhe progres. Do të jemi të gatshëm për takime e biseda konstruktive, dhe për dallim nga fqinji ynë verior nuk kemi dilema sa i përket integrimeve evropiane dhe euro-atlantike”, ka shkruar Kurti.

Për takimin e vështirë Kurti-Vuçiq ka folur edhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun.

Miroslav Lajçak, i dërguar special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, e ka vlerësuar të vështirë dhe me shumë pak progres takimin e dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Lajçak që së bashku me përfaqësuesin e lartë të BE-së Joseph Borrell ishin pjesë e këtij takimi tha se dy delegacionet diskutuan disa propozime konkrete, mirëpo rezultati i vetëm që mund të raportojë është se dialogu do të vazhdojë.

“Takimi u zhvillua vetëm një muaj pas takimit të tyre të parë në kuadër të dialogut këtu në Bruksel. Takimi ishte i vështirë dhe demonstroi qasje shumë të ndryshme të të dy palëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si pasojë, ne arritëm shumë pak progres sot. U diskutuan disa propozime konkrete, mirëpo rezultati i vetëm që mund të raportoj sot është se dialogu do të vazhdojë”, tha ai.

Palët ranë dakord që negociatorët kryesorë do të zhvillojnë takime mbi baza mujore, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet aktuale dhe për të përgatitur takime të nivelit të lartë kur është e përshtatshme.

“Për më tepër, të dy udhëheqësit ranë dakord të takohen përsëri në shtator. Për ne, Bashkimin Evropian, është e rëndësishme të nënvizojmë se e ardhmja evropiane për Serbinë dhe Kosovën varet nga normalizimi i marrëdhënieve të tyre. Prandaj, ne presim që të dy palët të punojnë së bashku për të kapërcyer të kaluarën dhe për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura midis tyre”, tha Lajçak pas takimit Kurti-Vuçiq.

Pas takimit, me Kurtin, ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Ai ka thënë se takimi me Kurtin është më i keqi në dialog.

“E vetmja gjë që ata kërkuan ishte që Serbia të ishte përgjegjëse për të kaluarën e saj, që Serbia të paguante çmimin e plotë”, tha Vuçiq.

Ndryshe, ky ishte takimi i dytë Kurti – Vuçiq në kuadër të dialogut në Bruksel.

Ndërkaq, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në mars të vitit 2011, fillimisht në nivel teknik.

Në tetor të vitit 2012, ky proces kaloi nga niveli teknik në atë politik, kur kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq nisën negociatat.

Në prill të vitit 2013, palët arritën Marrëveshjen e Brukselit, por shumica e marrëveshjeve që janë pjesë e saj, ende nuk janë zbatuar.

Kosova heziton që ta zbatojë Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit për shkak se kjo marrëveshje, nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës ishte thënë se nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik të Kosovës.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht ua kanë rikujtuar palëve se ky proces është i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thënë se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve. /Telegrafi/