DHTIK-i i kërkon Komunës së Prishtinës rishikimin e Draft-Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba


Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, njofton se është shqyrtuar Draft-rregullorja për ngarkesa, tarifa dhe gjoba komunale të kryeqytetit.
DHTIK njofton se çdo ndryshim fiskal duhet të bazohet në parimet e proporcionalitetit, sigurisë juridike dhe konsultimit të mirëfilltë me komunitetin e biznesit, gjë që sipas tyre në këtë rast Komuna e Prishtinës nuk e ka bërë.
Në këtë drejtim, DHTIK konsideron se draft-rregullorja parasheh rritje të konsiderueshme të tarifave për disa veprimtari, pa një arsyetim ekonomik të qartë apo analizë të ndikimit të saj. Sipas tyre, tarifa të tilla krijojnë barrë shtesë financiare, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Si shembull, theksohet se një furrë buke, kafene apo dyqan i vogël, që tashmë përballet me rritje të kostove të energjisë, qirasë dhe pagave, do të ketë vështirësi shtesë operimi në rast se rregullorja hyn në fuqi. Po ashtu, tarifimi i secilës njësi biznesore veç e veç, sipas DHTIK, dekurajon zgjerimin e bizneseve dhe ndikon në rritjen e kostove dhe uljen e aktivitetit ekonomik.Ka njoftuar Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës për telegrafin.
DHTIK thekson se politikat fiskale, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, duhet të synojnë krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime, zhvillim të bizneseve dhe hapje të vendeve të reja të punës, e jo rritjen e barrës administrative dhe financiare për bizneset.
Gjithashtu, ata vlerësojnë se propozimi aktual i Komunës së Prishtinës për rikthimin e taksave të biznesit bie ndesh me arkitekturën fiskale të vendosur gjatë viteve 2008–2012, me mbështetjen e Bankës Botërore dhe USAID-it, e cila synonte krijimin e një sistemi të thjeshtë, transparent dhe konkurrues të taksimit, duke reduktuar barrën administrative dhe taksat komunale mbi bizneset./Telegrafi/


































