LAJMI I FUNDIT:

“Destruksioni kreativ” që mungon në tregun ekonomik e politik të Kosovës

“Destruksioni kreativ” që mungon në tregun ekonomik e politik të Kosovës
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Është interesant se sa shumë ngjashmëri ka demografia e politikës kosovare me demografinë e ndërmarrjeve. Kjo e fundit është e stërmbushur me entitete afariste shumë të vogla, që u mungon inovacioni dhe efiçienca, të cilat as nuk rriten e as nuk vdesin. Ashtu të vogla dhe pa ide inovative, operojnë në treg për një kohë të gjatë, pasi nuk e ndjejnë presionin e ndërmarrjeve tjera me kapacitete inovative dhe me mendësi të avancuar organizative dhe menaxheriale. Shkurt, tregut të vendeve, si Kosova, u mungon ligji shkatërrues që ekonomisti austriak Joseph Schumpeter, e quante ‘destruksion kreativ’, apo ‘kreativitet që vret’ (creative destruction). Shtetet e zhvilluara e kanë këtë ligj, që e bën seleksionimin e pamëshirshëm mes ndërmarrjeve inovative dhe produktive, e atyre të ngathëta, të paafta, joefiçiente. Këto të fundit janë të detyruara të inovojnë, të rrisin efiçiencën, ose të vdesin e të dalin nga tregu.

Ngjashëm me demografinë e ndërmarrjeve, demografia e politikës kosovare është e stërmbushur me grupime politike të vogla dhe politikanë të paaftë të cilët as nuk ndryshojnë, as nuk zhvillohen, por as nuk vdesin politikisht. Kanë mbijetuar për 20 vjet dhe meqë u mungon ana skrupuloze e njeriut, vazhdojnë të mbijetojnë. Kjo ndodh edhe sepse nuk ndjehen të rrezikuar nga operimi i ligjit të ‘destruksionit kreativ’.


Shoqëria kosovare ka dështuar të krijojë grupe politike dhe politikanë që do të krijonin standarde në politikë, e që ndoshta do t’i detyronte politikanët e paaftë e jokompetentë, ose të ndryshojnë ose të vdesin politikisht e të dalin nga tregu.

Mungesa e këtij ligji ndoshta është arsyeja kryesore se përse jeta jonë sot është rënduar kaq shumë. Nuk besoj në teori konspirative, të them se e keqja jonë është projektuar nga jashtë, ndonëse nuk e përjashtoj ekzistencën e tyre. Pa asnjë mëdyshje, të keqen e kemi brenda nesh; fajin kryesor e ka kjo kastë politike, por jo vetëm këta.

Po cilat janë veçoritë e kësaj demografie politike?

Do mundohem të jap pikëpamjen time për këtë.

Grupi i parë dhe më karakteristikë është ai i disa ish-luftëtarëve të shndërruar në politikanë, të cilët e kanë kontrolluar jetën politike në Kosovë në këto 20 vjetët e fundit. Veçoria kryesore e këtij grupimi është mungesa e qëllimit, por edhe vizionit për të ndërtuar një shtet funksional, demokratik e me tipare perëndimore. Është interesant se brenda këtij lloji ka pasur shenja të njëlloj ‘mekanizmi shkatërrues’, brenda llojit, por pa përmbajtje kreative. Ajo çfarë ka prodhuar kjo kastë janë politikanët desperado. Ka edhe që janë larguar nga politika, por të tjerët janë kujdesur për sistemimin e tyre në institucione të larta të shtetit. Disa nga ta sot janë rektorë dhe profesorë universitetesh, drejtorë të institucioneve të ndryshme, e një pjesë e tyre janë shndërruar në manjatë afaristë – natyrisht, manjatë për kushtet e Kosovës.

Grupi i dytë i demografisë politike përbëhet nga disa të tjerë që e konsiderojnë veten institucionalistë. Vdesin nga pasioni të identifikohen me ish-themeluesin e partisë së tyre, ndonëse asgjë të përbashkët me të nuk kanë, sepse janë politikanë substancialisht mediokër. Kategori e njerëzve ‘as-as’ – as akademikë as politikanë, as ushtarakë as politikanë. Por, politikën e duan, sepse u sjell edhe pushtet e kapital material. Edhe në këtë parti ka ekzistuar një lloj ‘mekanizmi shumpeterian’. Edhe këtu destruktiviteti nuk ka qenë i bazuar në vlera e në inovacion. Ka që edhe janë larguar nga politika, por shumica e tyre janë sistemuar në institucionet kryesore të shtetit, borde ndërmarrjesh etj. Madje, disa, pasi kanë kontribuar në destruktivitet politik, janë kthyer në akademikë, madje në krye të Akademisë.

Mozaikun e politikanëve të paaftë të Kosovës e përmbushin ‘ngrehalucët’ e opozitës. Të obsesionuar me veten e tyre, me ideologjinë shëlbyese, janë shndërruar në opozitarë të përjetshëm. Sikur nuk dinë gjë tjetër veç kinse opozitarizmit. E patën pushtetin, por literalisht e dorëzuan; e patën mundësinë për ta na zbutur problemet e shumta që kemi, por nuk e bën. Ishte qesharake, por edhe tragjike përpjekja e tyre për ndërtimin e njëmëndësisë politike në Kosovë, e besa edhe jashtë saj. Tragjike sepse për shumëkënd, përfshirë edhe mua, qeveria e udhëhequr nga ‘ngrehalucët’ konsiderohej si “Qeveria e Shpresës”.

Si përfundim, duket sikur mediokriteti është pasuria më e madhe që kemi si komb. Mediokrët i gjejmë kudo, në Kuvend, në Qeveri, në ndërmarrje, në Akademi, në universitete, në institucione të kulturës e të sportit, të drejtësisë e të shëndetësisë… Kjo është e dukshme dhe e frikshme, fatkeqësisht.