Dështon sërish zgjedhja e kryesuesit të ri të KGJK-së

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka dështuar sërish të zgjedhë kryesuesin e ri, për shkak të mungesës së kuorumit.
Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi, i cili është edhe njëri prej kandidatëve për kryesues, ka ngritur shqetësime lidhur me mungesën e kuorumit.
“Siç jeni në dijeni, unë jam një nga kandidatët për kryesues të KGJK-së dhe për mua nuk është fare e rëndësishme se a do të zgjidhem unë apo dikush tjetër për kryesues të KGJK-së, por është shumë e rëndësishme dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që të zgjidhet kryesuesi i KGJK-së. Nëse e shikojmë në retrospektivë mënyrën e veprimit të KGJK-së, rezulton se në këtë institucion nuk ka qenë e zakonshme dështimi i takimeve në mungesë kuorumi. Dhe besoj thellë që ne, të gjithë anëtarët e KGJK-së, mbajmë përgjegjësi për dështimin e takimeve dhe komplet procesin për emërimin e kryesuesit të KGJK-së”, tha Thaqi.
Ai shtoi se beson që zgjedhja e kryesuesit duhet të jetë një aspekt krejtësisht meritokratik, sepse KGJK-ja është një organ kolegjial ku puna dhe proceset duhet të jenë transparente, votimi duhet të jetë i lirë dhe demokratik, ndërsa të zgjedhurit duhet të jenë të legjitimuar nga shumica e anëtarëve të KGJK-së, të cilët sipas bindjes dhe vullnetit të lirë e të papandikuar votojnë për një kandidat.
Sipas tij, sinkronizimi i veprimeve me struktura politike, me grupe të interesit dhe persona të tjerë nënkupton saktësisht dështimin e procesit të zgjedhjes së kryesuesit të KGJK-së.
“Kjo nënkupton se procesi i zgjedhjes së kryesuesit para së gjithash varet nga vota jonë, e cila duhet të jetë e rregullt, e lirë dhe e pakushtëzuar në frymën e procesit për avancimin e sistemit gjyqësor dhe njëkohësisht për të drejtuar çështjet e rëndësishme që janë në pritje në këtë institucion. Sot nuk po them asgjë të panjohur nëse zgjedhja e kryesuesit është një proces që i intereson jashtëzakonisht politikës dhe grupeve të caktuara të interesit. Por kjo nuk është çudi dhe kjo nuk është pengesë. Mirëpo është dhe do të jetë krejtësisht e panjohur, e paparë deri më tani dhe e papranueshme nëse ne, anëtarët e KGJK-së, sinkronizojmë veprimet me struktura politike apo grupe të interesit për të ndikuar jo vetëm në procesin e zgjedhjes së kryesuesit, por edhe në sigurimin dhe promovimin e pavarësisë së KGJK-së dhe gjyqësorit në përgjithësi”, u shpreh ai.
Thaqi shtoi se sinkronizimi i veprimeve me struktura politike, me grupe të interesit dhe persona të tjerë nënkupton saktësisht dështimin e procesit të zgjedhjes së kryesuesit të KGJK-së.
"Çdo tendencë për të influencuar anëtarët aktualë të KGJK-së, çdo tendencë për të favorizuar disa anëtarë të KGJK-së dhe njëkohësisht çdo tendencë e presionit nga brenda apo jashtë sistemit mbi anëtarët e KGJK-së”, u shpreh ai.
Anëtari Artan Abazi pati kritika ndaj mungesave të gjyqtarëve në takim.
“Secili anëtar i Këshillit Gjyqësor duhet të mbajë përgjegjësi, duhet ta dijë çfarë detyre ka marrë, duhet ta respektojë këtë detyrë, sepse nëse nuk e respekton, nënkuptohet se çka nënkupton mosrespektimi i detyrës zyrtare. Dhe çka më shtyn të mendoj kështu siç po them, është fakti që e-mail-i për mbledhjen e sotme është dërguar me 8 prill. Domethënë pesë ditë para se anëtari, gjyqtari Fahret Velija, të mungojë në mbledhjen e sotme, me 8 prill është bërë kërkesa për me u mbajt kjo mbledhje. Gjyqtari konkret, Fahret Velija, ka pritur pesë ditë për të na treguar neve 12 orë para takimit që: ‘unë nuk do të mund të marr pjesë sepse kam gjendje shëndetësore dhe jam jashtë vendit, në Shqipëri’. Ne, po e ceku edhe njëherë, i dëshirojmë sukses, jemi për t’i ndihmuar për gjendjen e tij shëndetësore, mirëpo çështja është ne duhet të bindemi me fakte. Ai ka pasur mundësi që pesë ditë, nëse e ka pasur gjendjen e tillë, të na njoftojë me kohë, jo 12 orë para”, Abazi.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 12 mars shpalli konkurs për kryesues të ri, i cili ishte i hapur deri më 26 mars 2026. Dy gjyqtarët që po kandidojnë për pozitën e të parit të Këshillit Gjyqësor janë anëtarë të këtij institucioni. Thaqi është gjyqtar në Gjykatën Supreme, kurse Bislimaj gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Sipas Rregullores mbi Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në pikën 6 përcaktohet se “Pozita e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit duhet të plotësohet brenda tridhjetë (30) ditëve, prej ditës që këto pozita mbeten të lira“./EO/





















































