LAJMI I FUNDIT:

Deputetët nuk e vendosin në rend dite për diskutim masën emergjente për furnizim me energji

Deputetët nuk e vendosin në rend dite për diskutim masën emergjente për furnizim me energji

Deputetët e Kuvendi të Kosovës nuk e kanë votuar mocionin për ta futur në rend të dite diskutimin për vendosjen e masave emergjente për furnizim me energji.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka propozuar që të shtohet në rend dite të seancës plenare edhe vendimit për masat emergjente me energji.


“Më 11 janar është ka miratuar nga Qeveria e Kosovës vendimi për masat emergjente për furnizimin me energji dhe se më 12 janar i është sjellë Kuvendit, pra ju ftoj ta shtoni në rend të ditës”, tha Kusari-Lila.

Megjithatë, ky mocion nuk ka marrë votat e mjaftueshme të deputetëve, pasi partitë opozitare kanë kundërshtuar propozimin.

LDK-ja ka thënë se kundërshton këtë vendim.

“LDK e kundërshton propozimin e LVV-së, është propozimi i 7-të me radhë dhe se nuk e ka dhënë asnjë përgjigje për pyetjet që ia kemi shtruar tash e një kohë të gjatë. Për ne është e papranueshme dhe e papërgjegjshme”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala ka thënë se nuk do të flasin për këtë vendim derisa të marrin përgjigje mbi shfuqizimin e rregullores së investitorëve strategjikë.

“Në emër të PDK-së nuk e mbështesim këtë nismë, e zhytur thellë në korrupsion dhe në mafinë energjetike të vendit”, tha Shala.

Po ashtu, as deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj nuk i ka dhënë mbështetje mocionit.

“Ne prapë votojmë vendime të tilla që i kushtojnë shtetit. Sot prapë vini me propozimin e shtatë. AAK nuk do ta mbështesë mocionin”, ka thënë Lekaj. /Telegrafi/